Autoriteti i Konkurrencës urdhëroi të hënën Urdhrin e Stomatologut të pezullojë menjëherë vendimin që përcakton çmime dysheme për shërbimet dentare. Sipas këtij institucioni, vendimi në fjalë bie në kundërshtim flagrant me ligjin dhe sjell një dëm të rëndë dhe të pariparueshëm për konkurrencën.
Në rast të moszbatimit të vendimit për masa të përkohshme, Urdhri i Stomatologut të Shqipërisë ndëshkohet me gjobë deri në 10% të xhiros vjetore për shkelje të rëndë të konkurrencës. Gjithashtu, drejtuesit e urdhrit të stomatologut mund të ndëshkohen me gjoba individuale deri në pesë milionë lekë.
Autoriteti i Konkurrencës ka vendosur edhe hapjen e procedurës së hetimit paraprak në tregun e ofrimit të shërbimeve stomatologjike, për të parë nëse ka ose jo shenja të kufizimit të konkurrencës.
Me një vendim të marrë në mesin e muajit dhjetor, Urdhri i Stomatologut përcaktoi disa tarifa dysheme për shërbimet e ofruara nga anëtarët e këtij urdhri. Ky vendim ishte paradoksal, jo vetëm sepse tregu i shërbimeve dentare është i liberalizuar, por edhe sepse vendosja e çmimeve nuk është kompetencë ligjore e Urdhrit të Stomatologut.
Kushdo që ka njohuri sado të përcipta ligjore, e di që çdo vendim i cili fikson çmimet në një treg të parregulluar, përbën një shkelje flagrante të ligjit për mbrojtjen e konkurrencës. Por, me sa duket, drejtuesit e Urdhrit të Stomatologut nuk e njohin ekzistencën e një ligji të tillë.