MENU
klinika

Opinion

Dy aspra për kërkim-zhvillimin!

25.01.2019 - 11:04

A e mbani mend shprehjen e aktorit Luftar Paja: “Me dy aspra (lekë) dashka edhe verë të mirë miku!?”

Eurostat tregon se në 2017-ën, Shqipëria jonë shpenzon vetëm 0.03% të PPB në kërkim-zhvillim, përfshirë këtu sektorin publik edhe privat. 2.03% të PPB shpenzon mesatarisht në kërkim-zhvillim EU dhe 0.9% të PPB shpenzon Serbia.
Shpenzimet e Shqipërisë për kërkim-zhvillim janë rreth 550 milion lekë, nga të cilat 110 milionë shkojnë për akademinë e dinozaurëve ose ndryshe e quajtur Akademia e Shkencave.

Me dy aspra nuk prodhon dot shkencë dhe inovacion, por plagjiaturë. Me dy aspra nuk ofron dot formim për 140 mijë studentë, të cilët i kemi futur në auditorë pa asnjë kriter, por ofron vetëm një iluzion që quhet shkollim.

Me dy aspra mund të prodhosh kartonë me ngjyra, por jo diploma mirëfilli.

Me dy aspra mund të ngresh portal për ekselentët, por zor se do të gjesh ndonjë ekselent të vërtetë brenda, e kjo jo për faj të tyre.

Me dy aspra në ekonominë e tregut, ku oferta e mundësia është e vogël, ndërsa kërkesa e stërmadhe, nuk vendos dot standard. Çdo gjë vendoset në kushtet e shitblerjes konstante, nota, diploma, doktoratura, artikujt me faktor impakti, vendi i punës.

Me dy aspra shpenzim për kërkim-zhvillim shtohet hendeku midis atyre që ju jepet mundësia të studiojnë jashtë, sepse familjet e tyre kanë mundësi t’i mbështesin, me studentin që rropatet në dyert e universitetit shqiptar, në kërkim të dijes së munguar. Në këto kushte, i aftë është vetëm ai që e pati fatin të jetë! I dituri dhe i lëçituri nuk mund të vijë kurrsesi nga familjet e varfra.

Me dy aspra investim në kërkim-zhvillim do të vazhdojmë të jemi vetëm dyqani me pakicë i ekonomive të tjera, të paaftë për të prodhuar, konkurruar me njëri-tjetrin apo aq më pak në tregje të tjera. Si të tillë do të vazhdojmë të mprehim aftësitë tona për të shkëmbyer çdo gjë, me qëllimin e vetëm të sigurojmë atë çka duam secili për vete, pa standarde, pa parime, por vetëm ndjekës të devotshëm si delet pa mend në ndjekje të bariut të tyre.

Por, mos më keqkuptoni. Fajin nuk na e kanë barinjtë as majtas as djathtas. Lidershipi i tyre sot matet me aftësinë për të pikasur ndjekësit. Faji është i gjithë i yni, që kemi vendosur me koshiencë t’i përshtatemi këtij rrethi vicioz, pasi jemi individualistë dhe pragmatistë irracionalë.

Te ne janë legjitimuar dy grupime, ata që qeverisin që duhet të dinë gjithçka, prandaj nuk dinë asgjë dhe pjesa tjetër, të cilët nuk duhet të shqetësohemi si shkojnë punët e këtij vendi, sepse e kemi bërë detyrën tonë, kemi zgjedhur.

1.3 miliardë lek është afërsisht efekti i përgjysmimit të tarifës, të pranuar nga qeveria. 1.3 miliardë lek, nga të cilat 44% do të shkojnë për të mbajtur në shkollë studentët me mesatare 5 deri 6, që shumica e dinë mirë sesi merret kjo notë.

1.3 miliardë lek do të shkojnë për të financuar studimet më së shumti në degë që tregu është i mbingopur. 29.6% studentë sot studiojnë Ekonomi dhe Ligj, 12.2% Shkenca Sociale dhe Gazetari, 9.7% Arsim (mësuesi), dhe vetëm 11% Shkenca Natyrore dhe Informatikë, 8.2% Inxhinieri dhe Prodhim.

1.3 miliardë lek për të vazhduar marrëzinë dhe hipokrizinë në arsimin e lartë, për të vrarë kohën kafeve pranë universiteteve, sikurse gjithmonë kemi qenë anës dijes, por të panxënë.

1.3 miliardë lek për t’u lehtësuar studentëve dhe prindërve konsumin e qetësuesit shpirtëror të përditshëm, iluzionin e një investimi që një ditë do të kthehet me anë të një punësimi të mirë.

Por, me gjithë këto 1.3 miliardë do të vazhdojmë që papunësinë ta kemi më të lartë te të rinjtë, pasi produktiviteti i tyre është shumë më i ulët, në krahasim me kostot që duhet të paguajë një biznes/ent publik për punësimin e tyre.

Ndërkohë ka mungesë të praktikave të mirëfillta të punës gjatë studimeve, por mbi të gjitha universitetet tona dhe tregu janë dy galaktika pa ura lidhëse.

66% e gjithë shpenzimeve të kërkim-zhvillimit në Europë financohen nga sektori privat. Në Shqipëri as nuk ekziston ky koncept, jo më të matet.

Qeveritë nuk ka nevojë vetëm të shpenzojnë para, mbi të gjitha ato duhet që me anë të politikave të krijojnë ura lidhëse. Që në universitete të marrë hov kërkim-zhvillimi, duke mobilizuar fonde të sektorit privat, që studentët të njihen qysh në bankat e shkollës me nevojat e bizneseve, si dhe t’u shërbejnë nevojave të tyre që në shkollë; që sektori privat të drejtojë sytë nga inkubatorët e bizneseve në universitete apo qendrat e tyre të kërkim-zhvillimit, qeveritë krijojnë ura lidhëse.

Fakulteti i Historisë dhe Filologjisë, Tiranë

Shumë vende, të cilat e kanë kapërcyer tranzicionin, jo vetëm në letër, por realisht i kanë ngritur këto ura, si fillim me mjete të thjeshta dhe jo të komplikuara. P.sh për çdo lek të harxhuar nga biznesi në shërbime të kërkim-zhvillimit, të marra në universitetet apo qendrat e kërkimit shkencor, njihen si të zbritshme për qëllime të tatim-fitimit në masën 150%-200% .

Për më tej, kostot e trajnimeve në punë për të rinjtë nga 18-29 vjeç, njihen si të zbritshme, po në masën 150%-200%, duke rritur interesin e bizneseve për të trajnuar të rinjtë. Këtë incentivë, aktualisht qeveria e ofron vetëm për punësimin në zonat e lira ekonomike. Ndërkohë, mund ta shtrijë në gjithë sektorët për moshat e reja.

Kemi një portal më shumë për punësimin. Shumë mirë! Sot Administrata Publike është punëdhënësi më i madh. Shumë studentë apo edhe universitete i përshtatin programet e studimit me kërkesat e Administratës Publike, ku kryesisht kërkohet formimi ‘Master Shkencor’.

Masteri Shkencor është hapi i fundit drejt Doktoraturës. Sektori Publik ka nevojë më shumë për specialistë sesa profile akademike të thelluara. Ndërkohë që tregu i punës në sektorin privat nuk e ka domosdoshmëri Masterin Shkencor, por drejtohen drejt Masterit Profesional, ku mendohet që njohuritë janë më praktike dhe metodologjike.

Kjo diferencë në kërkesat për kualifikim, midis sektorit privat e publik, krijon mungesë fleksibiliteti si dhe një mbikërkesë për masterat shkencorë, duke lënë një vakum të qenësishëm në ofrimin e masterave profesionalë.

Duhet zbutur një orë e më parë kjo diferencë, duke ulur jo vetëm kostot individuale në arsimin e lartë, por edhe duke forcuar lidhjen e këtij të fundit me tregun e punës.

Studentët kërkuan tarifat e sotme, pa menduar për të nesërmen. Kuptohet qeveria u bind edhe iu dha 1.3 miliardë lekë. Ndërkohë që harrojnë që diploma “pa vlerë” e kombinuar me mungesën e eksperiencës, çon në një produktivitet më të ulët të të rinjve në krahasim me moshat e tjera. Kështu që edhe kostot e tyre të punës duhet të jenë më të ulëta.

Në mënyrë që të ulen kostot e punës për punëdhënësin, në rast kur punësohen të rinj nga mosha 18-29 vjeç, qeveria mund të ofrojë një normë të reduktuar të sigurimeve të paguara nga punëdhënësi për të rinjtë. Kjo masë do të bënte më të interesuar punëdhënësin, të drejtohet te të rinjtë, duke rritur punësimin e këtyre të fundit, duke mos e limituar ndihmën tonë vetëm tek ekselentët.

Na duhet arsim cilësor, na duhet të ndihmojmë të rinjtë, por mbi të gjitha duhet të drejtojmë kërkesat e tyre drejt zgjidhjeve afatgjata, pasi mekanizmi i vetëm zhvillues është lufta e ideve./ GazetaSi

Analiza/ Në kërkim të klientëve të rinj

Plani i Rusisë për ‘të fituar’ tregjet e Azisë Qendrore

"Tirana ka nevojë për 8 mijë apartamente në vit"

“Kemi vetëm 20 objekte me mbi 12 kate”, Veliaj flet për ndërtimet

Një marrëveshje miliona dollarëshe me Libinë

Italia gjen zgjidhje për gazin!