MENU
klinika

Video

Ekstradohet shqiptari/ “Koka” e trafikut të emigrantëve në Angli

27.01.2019 - 09:19

Është ekstraduar drejt Belgjikës për të shlyer dënimin me 10 vite burg dhe 720 mijë euro gjobë, kreu i një rrjeti të trafikimit të emigrantëve drejt Britanisë së Madhe.

 Shqiptari Alket Dauti u arrestua në një aksion të zhvilluar në apartamentin e tij në jug të Londrës në qershor të vitit 2018.

Arrestimi i tij ishte pjesë e një hetimi të përbashkët britanik-belg, ndërsa ai drejtonte një grup që dërgonin me kamionë burra, gra dhe fëmijë nga Belgjika drejt Britanisë kundrejt pagesës.

Banda përdorte shoferë të korruptuar kamionësh për të marrë emigrantët në Belgjikë, të cilët i fusnin në Mbretërinë e Bashkuar nëpërmjet porteve të ndryshme.

Banda dyshohet se trafikonte shqiptarë, të cilët paguanin shifra të mëdha parash për të qëndruar në hotele në Belgjikë, përpara se të shkonin në Britani.

“Përmes punës sonë të ngushtë me Policinë dhe prokurorët federalë të Belgjikës ne kemi goditur një grup të rëndësishëm të krimit të organizuar i përfshirë në sjelljen e emigrantëve në Britani në mënyrë të paligjshme. Dauti ishte kreu i atij grupi. Ai i trajtoi emigrantët e dëshpëruar si mall për të bërë para. Ai nuk kishte marrë parasysh se jeta e tyre vihej në rrezik pasi ata udhëtonin në anën e pasme të kamionëve. Ai është dënuar nga një gjykatë belge dhe ne e kemi ekstraduar atje për të kryer dënimin e tij”- ka thënë prokurori që ka udhëhequr hetimet në Britani.