Festivali i dramës shqipe “Talia e Flakës 2019’’ i mbajtur në qytetin e Gjilanit ka ndarë çmimet e sivjetme ku, shfaqja “I ligu për mend” me regjizor Altin Bashën u shpall fituese e festivalit të dramës shqipe.
Kurse me regji të Enver Petrovcit Drama “Kreolët e Ballkanit” është nderuar me dy çmime. Kjo vepër është shfaqur para disa kohësh dhe Teatri Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli”.
Një çmim shkoi për autorin dhe regjisorin Enver Petrovci dhe “Çmimi special i jurisë fryma e re për brezin e ri” shkoi për aktoren Vanesa Petrovci”.
Ky festival vlerësoi si aktorin më të mirë të tij Luan Jaha, kurse aktorja më e mirë i është dhënë Ilire Vincës.
Gjithashtu ky festival ka ndarë dhe një çmim për veprën jetësore të artit. Ky çmim i është dhënë Jashar Shahiqit.
Komedia e Molierit, “I ligu për mend” e shqipëruar nga Gjergj Fishta, me regji të Altin Bashës pas shfaqjes së saj në qytetin e Prishtinës ka qenë dhe në skenën e Teatrit Kombëtar në Tiranë. ‘’I sëmuri për mend’’ u rishkrua nga Gjergj Fishta në vitet ‘20.
Në këtë komedi luajnë një kastë aktorësh si Luan Jaha, Ernest Malazogu, Adrian Morina, Armand Baloku, Ard Islami, Shkelzen Veseli, Ismet Azemi, Basri Lushtaku, Shengyl Ismaili dhe Gramoz Malaj. Skenografia e shfaqjes dhe kostumet ishin nga Iliriana Loxha Basha, muzika nga kompozitori Endri Sina, koreograf Gjergj Prevazi, dramaturg Visar Krusha.
Përkthyesi dhe shqipëruesi i veprës Gjergj Fishta e hodhi atë në dialektin geg dhe e përshtati për kontekstin shqiptar të atyre viteve me titullin ‘’I ligu pa mend’’. Kjo krijoi një interes të veçantë për regjizorin Altin Basha.
“Kreolët e Ballkanit”, e regjisorit Enver Petrovci, është dhënë si shfaqje nga një kastë aktorësh si Agron Shala, Elidon Alika, Kristian Koroveshi, Kriks Dumo si dhe Vanesa Petrovci.
Skenografia e kësaj shfaqjeje është e realizuar nga Beqo Nanaj, kostumografe Sofi Kara, as/regjisor Enkeleda Fishekaj.
Shfaqja ‘’Kreolët e Ballkanit sjell dramën e madhe të luftës së Kosovës, ku autori shpreh gjendje dhe rrethana të ndryshme emocionale para luftës, gjatë dhe pas luftës.
Vepra është shkruar nga Petrovci dhjetë vite para luftës në Kosovë, duke i parashikuar saktë ngjarjet e kësaj lufte ndodhur para dhe pas saj.
Në këtë shfaqje dalin në pah shumë ndjenja të forta të njeriut e sidomos vlera të rëndësishme për dashurinë, lumturinë, hakmarrjen, tradhtinë, por edhe shpresën për një botë më të mirë, më me vlerë, për një atdhe më të dashur, për fitoren dhe lumturinë e shoqërisë.