Kur je profesionist, në publik ca gjëra të ndëshkojnë, qoftë edhe kur bëhen për shaka. Kjo i ka ndodhur çiklistit belg Iljo Keisse, që është denoncuar për abuzim seksual nga një kamariere e qytetit të San Juan, në Argjentinë.
Gjithçka ka lindur për shkak të një fotografie që çiklisti bashkë me kolegët e tij të skuadrës Deceuninck Quick Step kanë bërë pas një gare dhe që është publikuar në një gazetë lokale.
Në atë foto, çiklisti bën një veprim jo të këndshëm, duke afruar organet e tij gjenitale në trupin e kamarieres, që kishte dalë në foto me skuadrën. Ndërsa një çiklist tjetër, Remco Evanepoel, ngrinte dy gishtat lart në shenjën e fitores.
“Kam gabuar me atë gjest, por ishte një shaka. Nuk duhej ta kisha bërë atë veprim, por nuk meritoj një denoncim për abuzim seksual. Pranoj ndonjë gjobë apo vërejtje”, tha 36-vjeçari belg.
Ngjarja ka ndodhur në Vueltën e Suan Juan, kur vajza ka parë çiklistët që afroheshin dhe ka kërkuar të dalë në foto me ta.
Më pas, ajo ka riparë foton të publikuar në media dhe ka parë gjestin e turpshëm të Keisse. “Jam inatosur shumë, pasi nuk tregoi respekt karshi meje. Shkova në polici, bisedova me avokatin tim dhe bëra denoncimin. Nuk mund të shkosh në një vend tjetër dhe të trajtosh gratë në atë mënyrë”, – ka thënë vajza.