MENU
klinika

13 vjet pa Rugovën

Heroi i Kosovës/ Si e udhëhoqi “luftën popullore” për pavarësi?

21.01.2019 - 18:43

Ibrahim Rugova lindi më 2 dhjetor 1944 dhe vdiq pikërisht më 21 janar 2006.

Ishte Presidenti i parë i Republikës së Kosovës, duke shërbyer në vitet 1992–2000 dhe përsëri në vitet 2002–2006. Ishte Intelektual, politikan, akademik dhe shkrimtar shqiptar. Rugova mbante titullin Doktor.

Presidenti Ibrahim Rugova ishte bashkëthemelues i Lidhjes Demokratike të Kosovës e cila ishte lëvizja e parë demokratike gjithë popullore në Kosovë që udhëhoqi popullin drejt rrugës për Liri, Pavarësi e Demokraci dhe që më vonë do të transformohej në Parti Politike dhe Rugova ishte kryetar i saj që nga themelimi i saj më 23 dhjetor të vitit 1989 deri më 21 janar të vitit 2006 kur nderroi jetë.

Ai udhëhoqi një luftë popullore për pavarësi, që avokoi një rezistencë paqësore ndaj sundimin jugosllav dhe loboi për mbështetje nga SHBA-të dhe Evropa, veçanërisht gjatë Luftës së Kosovës.

Ai theksoi fort trashëgiminë e lashtë të Dardanisë, mbretëri e pavarur dhe më vonë provincë e Perandorisë Romake që përfshinte territorin e sotëm të Kosovës, për të forcuar identitetin e vendit dhe për të promovuar politikën e tij të marrëdhënieve të ngushta me Perëndimin.

Për shkak të rolit të tij në historinë e Kosovës, Rugova është quajtur “Ati i Kombit” dhe “Gandi i Ballkanit”, ndërsa pas vdekjes është shpallur Hero i Kosovës.

Ibrahim Rugova lindi më 2 dhjetor të vitit 1944 në fshatin Cerrcë, komuna e Istogut. Më 10 janar 1945 komunistët jugosllavë ia pushkatuan të atin, Ukën dhe gjyshin Rrustë Rugova, që kishte qenë luftëtar i njohur kundër çetave çetnike që po depërtonin në Kosovë gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Ibrahim Rugova shkollën fillore e kreu në Istog, të mesmen e kreu në Pejë, më 1967. Fakultetin Filozofik – Dega Gjuhë e Letërsi Shqipe e kreu në Prishtinë. Gjatë vitit akademik 1976-1977 qëndroi në Paris, në École Pratique des Hautes Études, nën mbikëqyrjen e Prof. Roland Barthes-it, ku ndoqi interesimet e veta shkencore në studimin e letërsisë, me përqendrim në teorinë letrare.

Doktoroi në fushën e letërsisë në Universitetin e Prishtinës, më 1984. Në vitin 1996 Ibrahim Rugova u zgjodh anëtar korrespondent i Akademisë së Arteve dhe Shkencave të Kosovës. Në fillim ishte redaktor në gazetën e studentëve Bota e re dhe në revistën shkencore Dituria (1971-1972), që botoheshin në Prishtinë.

Një kohë punoi edhe në revistën Fjala. Pastaj, për afro dy dekada, Ibrahim Rugova veprimtaritë e veta shkencore i zhvilloi në Institutin Albanologjik si hulumtues i letërsisë. Një kohë ka qenë kryeredaktor i revistës Gjurmime albanologjike të këtij Instituti. Me krijimtari letrare u mor që nga fillimi i viteve gjashtëdhjetë.

Ibrahim Rugova më 1988 u zgjodh kryetar i Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës, që u bë bërthamë e fuqishme e lëvizjes shqiptare, e cila kundërshtoi sundimin komunist serb dhe jugosllav në Kosovë.

Si intelektual që i jepte zë kësaj lëvizjeje intelektuale e politike Ibrahim Rugova u zgjodh, më 23 dhjetor 1989, nga themelimi kryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës, partisë së parë politike në Kosovë që sfidoi drejtpërdrejt regjimin komunist në fuqi.

LDK, nën udhëheqjen e Ibrahim Rugovës, u bë shpejt forca politike prijëse në Kosovë, duke mbledhur shumicën e popullit rreth vetes. Në bashkëpunim me forcat e tjera politike shqiptare në Kosovë si dhe me Kuvendin e atëhershëm të Kosovës, Ibrahim Rugova dhe LDK-ja përmbyllën kornizën ligjore për institucionalizimin e pavarësisë së Kosovës.

Deklarata e pavarësisë (2 korrik 1990), shpallja e Kosovës Republikë dhe miratimi i kushtetutës së saj (7 shtator 1990), referendumi popullor për pavarësinë dhe sovranitetin e Kosovës, mbajtur në fund të shtatorit 1991, qenë prelud për zgjedhjet e para shumëpartiake për Kuvendin e Kosovës, mbajtur më 24 maj 1992.

Ibrahim Rugova u zgjodh President i Republikës së Kosovës. Ai u rizgjodh President i Republikës së Kosovës në zgjedhjet e mbajtura në mars të vitit 1998.

Nën udhëheqjen e Ibrahim Rugovës LDK-ja fitoi shumicën e votave në zgjedhjet e para lokale të sponsorizuara ndërkombëtarisht në Kosovën e pasluftës në tetor të vitit 2000 si dhe në zgjedhjet e para nacionale në vitin 2001 dhe në zgjedhjet e dyta lokale të vitit 2002. LDK fitoi edhe zgjedhjet e fundit nacionale më 2004.

Ibrahim Rugova vdiq më 21 janar 2006 , u varros me nderime te larta shteterore dhe ushtarake. Funerali i Ibrahim Rugovës ishte njëri nga më të mëdhenjtë të historisë shqiptare.

Në përvjetorin e vdekjes së Ibrahim Rugovës, më 21 janar 2007, Presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu, dekoroi Presidentin historik të Kosovës me Urdhrin “Hero i Kosovës”, titulli më i lartë në vendin tonë që u jepet figurave historike shqiptare dhe të Kosovës që kanë bërë “vepra trimërie për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës”

U shfaq në Teatrin e Operas dhe Baletit

“La Boheme” e Puccinit, një opera për rritjen

Dita e lindjes dhe e vdekjes së William Shakespeare

Shkrimtari që ngriti artin poetik në majat më të larta

Vdekja e dy kolosëve të letërsisë botërore

Sot shënohet Dita Ndërkombëtare e Librit