Ka hyrë në fuqi paketa fiskale 2019 dhe taksat e reja që kjo paketë përfshinë. Kështu bizneset do të paguajnë më pak taksa gjatë këtij viti.
Një nga ndryshimet është rritja e pragut të atyre bizneseve që do të tatohen me 5% nga 8 mln në 14 mln.
Drejtori i politikave fiskale në ministrinë e financave Niko Lera thotë se nga ky ndryshim përfitojnë rreth 28 mijë biznese.
“Ne kemi në Shqipëri 110 mijë biznese aktive të regjistruara ku hyjnë kompani dhe biznese të vogla. Nga këto 110 mijë kompani 91% e tyre paguan tatim ose 0% ose 5% dhe vetëm 9% e biznesit prej 109 mijë paguan tatim 15% mbi fitimin neto që realizon.
Çdo të thotë kjo? Vetëm 10 mijë biznese paguajnë 15% taksë mbi fitimin neto. Ndërsa 71 mijë biznese nuk paguajnë tatim. Pra 65 % operatorë ekonomik në Shqipëri e numrit total të tyre paguajnë 0 tatim ndërkohë që 28 mijë biznese apo 26% e numrit total paguajnë tatim vetëm 5%. Ky është propozimi i bërë”, sqaroi Lera.
Një tjetër lehtësi do të kenë edhe investitorët në agroturizëm të cilat do paguajnë taksa minimale me qëllim nxitjen e këtij sektori.
“Të gjithë subjektet që zhvillojnë veprimtari në fushën e agrobiznesit do të paguajnë 5% tatim mbi fitimin neto që realizojnë dhe do iu ofrojnë klientëve shërbim akomodimi apo çdo lloj shërbimi tjetër në fermë me 6% TVSH pra ne vendosim në kushte të njëjta turizmin elitarë dhe agrobiznesin në mënyrë që të rritet numri i agrofermave”, tha Lera.
Qeveria parashikon lehtësira edhe për kooperativat bujqësore.
“U synua të incentivohen dhe sektorë të caktuar si synojmë të incentivojmë kooperimin në bujqësi. U ul barra fiskale e shoqërive të bashkëpunimit bujqësore nga 15% në 5% synimi që të ulet kooperimi.
Incentivë tjetër stimulimi i agrobiznesit. Kemi përjashtuar nga TVSH investimet diellore po kështu bëmë dhe përjashtime të tjera si p.sh u përjashtuan inputet bujqësore”, u shpreh Lera.
Paralelisht me këto ndryshime hynë në fuqi edhe paga minimale e cila do të jetë 26 mijë lekë në muaj.
“Paga minimale është rritur në mënyrë periodike dhe ajo nuk ishte rritur në 2017 dhe kishte dy vjet që nuk ishte rritur.
Paga minimale në mënyrë që të rritet shuma që përfitojnë punonjësit me paga të ulëta por njëkohësisht edhe për të krijuar mundësi që mbi bazën e pagës të rriten dhe kontributet që do te thotë duke paguar diçka më shumë sot do të përfitojnë më shumë nesër ne kemi llogaritur që kjo rritje e pagës minimale të gjenerojë 1.7 md lekë fonde të cilat do te shkojnë në fondin e Institutit te sigurimeve shoqërore”, deklaroi Lera.
Disa ndryshime të tjera që hyjnë në fuqi që nga 1 janari i vitit të ardhshëm janë edhe ulja e dividentit nga 15 në 8%, janë përjashtuar nga TVSH investimet diellore, inputet në bujqësi si dhe ambalazhet e plastikës.