Pas akuzave të PD se ka kaluar vettingun në kundërshtim me ligjin, pasi ka qenë bashkëpunëtor i ish Sigurimit të Shtetit në kohën e komunizmit, ka reaguar anëtari i Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Bujar Sheshi.
Gjatë mbledhjes së KLP, Sheshi tha se nuk ka qenë asnjëherë bashkëpunëtor i Sigurimit të Shtetit dhe akuzat i cilësoi si skenar mafioz me prapavijë politike.
“Deklaroj se nuk kam qenë asnjëherë bashkëpunëtor i fshehtë i Sigurimit të Shtetit. Objektivi i këtij sulmi më i ulet se kaq. Synohet të goditet procesi i reformës në drejtësi. Fakti që kanë arritur të manipulojnë deri në institucione shtetërore, me krijon bindjen që pas tij fshihen njerëz të rëndësishëm të politikës. Në rastin tim nuk synohet vetëm goditja ndaj meje për çështjet që kam hetuar, por synohet goditja si institucion i KLP, pasi kemi ardhur në një moment për krijimin e SPAK.
Pas këtij veprimi fshihen segmente të caktuara, jo vetëm në njërin krah, por persona me pushtet. Përballë kësaj situate do të kërkoja të gjithë përkrahjen tuaj për të zbardhur të vërtetën dhe zbardhur këtë skenar mafioz. Do kërkoja ndihmën tuaj për zbardhjen e të vërtetës dhe që janë bërë pjesë e një skenari mafioz.
Reagimi ynë duhet të jetë institucional dhe i fuqishëm, jo për të mbrojtur personin tim, sepse me apo pa Bujar Sheshin në KLP, SPAK-u do të zgjidhet. Prokurori i ri i përgjithshëm do të zgjidhet. Por për të bërë të mundur mbrojtjen e institucionit tonë si dhe të gjithë arritjet e reformës në drejtësi në këtë fazë delikate që ndodhet sistemi i drejtësisë, por edhe vendi në prag të hapjes së negociatave për anëtarësim në BE. Refuzoj kategorikisht çdo akuzë dhe vendimmarrje sipas të cilit unë kam qenë bashkëpunëtor i sigurimit. Drejtësia do merret me këtë çështje dhe do arrijë një konkluzion të qartë. Nuk besoja se do arrinin deri në këtë sajesë”- tha Sheshi.