MENU
klinika

Ankandet e obligacioneve

Ja mundësitë e investimit në janar

08.01.2019 - 12:11

Tregu primar i instrumenteve të borxhit qeveritar ofron alternativa interesante investimi gjatë muajit janar. Qeveria shqiptare do të ofrojë emetime të reja të obligacioneve 10 vjeçare dhe të atyre referencë 5-vjeçare.

Ankandi i obligacioneve 10 vjeçare do të zhvillohet më datë 14 janar, për një vlerë të shpallur prej katër miliardë lekësh. Duke qenë instrumentet më afatgjata, obligacionet 10 vjeçare ofrojnë sot edhe kthimin më të lartë nga investimi.

Në ankandin e fundit, tetorin e vitit të kaluar, këto obligacione u emetuan me një kupon prej 6.8%. Aktualisht, kjo është alterntiva më fitimprurëse e investimit financiar me rrezik të ulët në tregun shqiptar.

Në fund të këtij muaji do të zhvillohet edhe emetimi i ri i obligacioneve referencë 5-vjeçare. Sipas formulës së projektit të nisur korrikun e vitit të kaluar, në ankandet e obligacioneve 5 vjeçare mund të marrin pjesë vetëm pesë bankat e përzgjedhura si zhvilluese të tregut.

Megjithatë, subjektet e interesuara mund t’i blejnë këta tituj në tregun dytësor. Në fillim të kësaj jave, kuotimi i yield-it fiks të këtyre obligacioneve ishte 3.75%.

Interesat e bonove dhe obligacioneve qeveritare pësuan një rënie të ndjeshme në gjysmën e dytë të vitit 2018, duke u kthyer pranë niveleve minimale historike. Kjo lidhet me kërkesën më të ulët të qeverisë për huamarrje në tregun e brendshëm, por edhe me likuiditetin e lartë të lirë në tregun financiar.

Disa banka vitin e kaluar konvertuan kapitalin në lekë, çka krijoi më shumë likuiditete të lira në monedhën vendase. Gjithashtu, blerjet masive të euros nga Banka e Shqipërisë, sollën një rritje të sasisë së monedhës vendase në tregun financiar.