MENU
klinika

Renditja për 2018

Konkurrueshmëria, Shqipëria e 76-ta në Botë

07.01.2019 - 10:41

Shqipëria ka fituar katër vende në raportin e konkurrueshmërisë globale 2018 të Forumit Ekonomik Botëror. Ky raport është një ndër dy më të rëndësishmit në nivel global, së bashku me “lehtësinë e të bërit biznes” të Bankës Botërore.

Këtë vit, Shqipëria renditet në vendin e 76-të në botë. Në krahasim me vendet e tjera të rajonit ndërkohë, Serbia dhe Mali i Zi kanë një performancë më të mirë, ndërsa Maqedonia dhe Bosnje Hercegovina janë më pas në renditje. Vitin e kaluar, Shqipëria i linte pas të gjitha vendet e tjera të rajonit, përfshirë Malin e Zi dhe Serbinë.

Me raportin e vitit 2018, përmirësimi në harkun e katër viteve të fundit është i ndjeshëm, por raporti vjen me një ndryshim rrënjësor të metodoligjisë. Indeksi bazohet mbi 98 nën-indikatorë në 12 shtylla të ndryshme, dhe në secilin prej tyre matet performanca e një prej 140 ekonomive  në krahasim me performuesin më të mirë.

Raporti Global i Konkurrueshmërisë është kartolina e secilit vend në sytë e të tjerëve, e sidomos në sytë e investitorëve të huaj, duke qenë se është raporti më prestigjioz në drejtim të ecurisë së një vendi, në thuajse çdo fushë, dhe ku krahasimi me vendet e tjera është mëse i mundshëm.

Performancën më të mirë ndër 12 shtyllat, Shqipëria e ka në atë të tregut të punës, ku renditet e 34-ta në botë, duke pasur një pikëzim më të lartë se mesatarja europiane apo e Amerikës së Veriut. I vetmi indikator tjetër që e sheh Shqipërinë mbi mesataren e kontinentit dhe atë të grupit të vendeve me të ardhura të mesme dhe të larta është ai i dinamizmit të biznesit, në të cilin Shqipëria renditet në vendin e 48-të në botë.