MENU
klinika

Rehabilitimi i godinave

Konviktet/ Biznesi i thotë ‘Po’ Veliajt: Do i rikonstruktojmë!

23.01.2019 - 16:08

Bizneset janë gati të japin kontributin e tyre ne rikonstruksionin e godiave të ‘Qytetit Studenti’.
Pas thirrjes së kryeministrit Rama dhe kryebashkiakut Veliaj drejt bizneseve për te ndihmuar bashkinë në rehabilitimin e godinave, duket se shumë shpejt ka ardhur dhe aprovimi i tyre.

Me nismën ‘’Adopto një konvikt’’, bashkia fillimisht do të ndërhyjë në ambjentet e përbashkëta të godinave deri në verë dhe më pas do të ndërhyjë në dhoma.
Kryetari i Bashkisë, Erion Veliaj i shoqëruar nga deputetja e Partisë Socialiste, Vasilika Hysi vijuan inspektimet në rezidencat Nr. 20 dhe Nr. 21.

Dua të falenderoj të gjitha kompanitë që i janë përgjigjur thirrjes së kryeministrit dhe bashkisë për të adoptuar një konvikt. Jemi në situatë emergjence, nuk mjafton të thuash hashtagun “Me studentët”, nëse nuk je gati vetë të bësh diçka. Për të gjithë ata që këtë thirrje e çuan në veprim konkret, ka vetëm mirënjohje, edhe nga unë, edhe në emër të kryeministrit dhe të Qeverisë. Deri në fund të muajit, me këtë sistem adoptimesh, ku një kompani merr përsipër një konvikt, do t’i kemi adoptuar të gjitha konviktet e “Qytetit Studenti”. Deri në verë, të gjitha hapësirat e përbashkëta, që janë nyjet higjieno-sanitare, sallat e leximit, banjot, fasadat, korridoret, hollet e tyre, do të kenë përfunduar, që pastaj t’i lihet radhë punës nëpër secilën dhomë të ‘Qytetit Studenti’”, tha Veliaj.

Kreu i Bashkisë gjithashtu kërkoi vazhdimin e bashkëpunimit me studentët pasi në këtë mënyrë progresi i punës do të jetë edhe më i madh.

Dua t’i ftoj të gjithë studentët të bashkëpunojnë. Ka qenë jashtëzakonisht ndihmues fakti që po punojmë në një krah, teksa lirohet krahu tjetër, dhe do të doja që ta vazhdonim këtë bashkëpunim. Tani që vëmendja publike është kthyer e plotë, nuk e lëshojmë më këtë punë derisa të realizojmë deri në pikën më të fundit të gjitha premtimet që janë bërë me ‘Paktin e Universitetit’, sipas afateve që janë dakordësuar nga kryeministri dhe studentët”, deklaroi ai.