MENU
klinika

Marrëveshja Kosovë-Serbi

Korrigjimi i kufijve/ Thaçi: Kosova nuk ndahet!

31.01.2019 - 21:40

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ditën e sotme në një emision televiziv ka këmbëngulur se marrëveshja Kosovë- Serbi, nënkupton korrigjim të kufijve dhe jo ndarje të Kosovës.

Thaçi u shpreh se në këtë marrëveshje mund të përfshihet Presheva, Medvegja dhe Bujanovci, pra se mund t’u bashkohen Kosovës, por nuk sqaroi se çfarë do të humbasë Kosova nga korrigjimi i kufijve.

“Nuk mund të ndodhë një marrëveshje përfundimtare, me njohje reciproke, me anëtarësim të Kosovës në OKB, edhe pa definimin e plotë të kufirit dhe njohjen reciproke, që do të thotë një demarkim teknik. Unë në kuadër të këtij demarkimi, besoj fuqishëm se mund të përfshijmë Preshevën, Medvegjën dhe Bujanovcin. Të tjerat nuk janë deklarime të mijat, apo opinionet që janë prezantuar nga të tjerët. Unë punoj për një demarkim teknik, përmbyllës, Kosovë-Sërbi, që do të përfshinte Preshevën, Medvegjën dhe Bujanovcin”.

Më tej ai u shpreh se nuk do të lejojë krijimin e një asosacioni me shumicë serbe si Republika Srbska, gjë që do të “defunksionalizonte Kosovën në tërësi”.

“Kush mendon se marrëveshja përfundimtare me Serbinë, do të jetë e lehtë, e shpejtë dhe vetëm e duartrokitur në Prishtinë, mendoj se do të gabohet rëndë. Por, kush e ka zgjidhjen magjike, unë do ta përshëndes dhe duartrokas shumë. Cfarë nënkupton demarkimi teknik?

Për mua nënkupton, përmirësimi i një padrejtësie, sepse këto pjesë kanë qenë të Kosovës dhe duhet t’i takojnë Kosovës. Unë punoj dhe unë besoj se do të realizohet ky objektiv. Ndërsa, se çfarë mendon Beogradi, është cështje e tyre. Ne ende, nuk kemi diskutuar në tavolinë. Tash është themeluar ekipi shtetëror i Kosovës, dje kanë qenë në Bruksel. Ne demarkime të tilla të kufirit kemi patur edhe me Maqedoninë, edhe me Malin e Zi, ju e dini ka patur zhurma të ndryshme, siç është paranoja dhe konspiracioni ynë ndonjëherë, që kemi prirje për të akuzuar të tjerët. Unë kam besim, se do të punoj për interesin e vendit tim dhe qytetarëve.

Se çfarë flet ndonjë oponent, poshtë apo lartë, unë jam në politikë për një kohë të gjatë, i kuptoj, ndoshta e kam tepruar me fitoren e zgjedhjeve dhe kohëzgjatjes, por në politikë jam për të shtyrë përpara, aspirata të cilat unë besoj dhe unë punoj për arritjen e një marrëveshje të përhershme, përfundimtare dhe njohje reciproke.

Por, nuk do të lejoj në asnjë rrethanë krijimin e ndonjë asosacioni, me shumicë serbe që ka karakter ekzekutiv, që kuptohet Republika Srbska, që e defunksionalizon në tërësi, shtetin e Kosovës. Askush nuk ka folur për ndarje, kjo është një shpifje ordinere. Më gjej një deklaratë timen që flas për ndarje, vetëm një deklaratë”, u shpreh Thaçi.

"Hedhim hapat e parë për ngritjen e industrisë ushtarake"

Nis procesin për hapje të fabrikës për prodhim të municioneve!

Vuçiç “heq dorë” nga “Serbia e Madhe”

Intervista që zuri ngushtë presidentin serb

Ministrja Gërvalla: Rezultat historik

Kosova hap ambasadën e saj në Kolumbi