Në Kosovë nga nesër hyn në fuqi ‘mbyllja e qeverisë’, pra nuk mund të kryhet asnjë pagesë, përveç borxheve publike.
Pagat e sektorit publik kanë dalë sot, ndërsa nga 1 shkurti çdo cent do të jetë i bllokuar. Kjo gjendje mund të zgjasë 24 orë, ose mund t’i vër vulën e kolapsit dhe gjendjes kaotike të krijuar nga grevat dhe mosmarrëveshjet mes liderëve politikë. Vendi do të jetë në bllokadë të plotë, nëse të shtunën nuk votohet buxheti.
Qeveria e Kosovës është ngutur që t’i paguajë pagat e punëtorëve me datën 31 janar. Ekspertët financiarë, por edhe përfaqësuesit e opozitës, po e paralajmërojnë qeverinë që tani ajo nuk ka të drejtë të shfrytëzojë mjetet financiare, pa u aprovuar buxheti në lexim të dytë.
Koalicioni qeveritar, tashmë pa Listën Srpska, nuk e ka shumicën e thjeshtë për ta kaluar projektligjin mbi ndarjet buxhetore për vitin 2019. Mendohej që do t’i kishte, mirëpo Partia Socialdemokrate i ka vënë pesë kushte Qeverisë Haradinaj, në këmbim të 12 votave pro buxhetit.
Sipas nenit 24 të Ligjit për Menaxhimin e Financave Publike dhe të Përgjegjësisë, ndarjet buxhetore të vitit të kaluar mund të zgjatën për një muaj të vitit të ri. Me vendim të Kuvendit, mund të bëhet zgjatja e Ligjit për Ndarjet Buxhetore për tre muajt e parë të vitit të ri, por në asnjë mënyrë më shumë se kaq.
Kështu, që nga nesër me datë 1 shkurt s’mund të shpenzohet asnjë cent nga paraja publike. Ekonomisti Hekuran Murati ka paralajmëruar se nga 1 shkurti Kosova hyn në një fazë që ngjan me “shutdown” amerikan, ku vendi përjeton mbyllje financiare.
Ai ka thënë se nuk mund të shpenzohet asgjë deri në hyrjen në fuqi të buxhetit të ri.
“Prej datës 1 shkurt e tutje, Qeveria nuk guxon me e shpenzu asnjë cent të vetëm – rryma, telefoni, furnizimi me material të zyrës, pagat, pensionet, e shumë shërbime e fatura të tjera nuk do të mund të paguhen”, tha Murati.
Deputeti i LDK’së, Lumir Abdixhiku, i cili udhëheq komisionin parlamentar për të Financave, thotë se në një situatë të tillë të mbylljes financiare, Qeveria e humb kontrollin mbi paranë publike.
“Qeveria e Kosovës nuk ka të drejtë të shpenzojë e alokojë mjete financiare nga buxheti për asnjë aktivitet publik. Në një skenar të tillë, Qeveria e humbë të drejtën e kontrollit mbi kuletën e shtetit”, ka thënë Abdixhiku.
Humbja e kontrollit mbi “kuletën e shtetit”, Abdixhiku thotë se duhet ta cojë në shtëpi Qeverinë, që humb aftësinë e marrjes së vendimeve,.
“Ne aspektin moral e politik, një qeveri që nuk ka kontroll financiar mbi kuletën e vet, nuk ka kontroll as mbi shumicën e as mbi vendimmarrjen në vend. Pra e njëjta s’mund te marre vendime, s’mund te udhëheqë me administrate publike, e s’mund te veprojë si shtet. Prandaj ajo është e detyruar të dorehiqet”, thotë deputeti i LDK’së.
Edhe partia tjetër opozitare, Lëvizja Vetëvendosje, refuzon t’ia votojë qeverisë Haradinaj buxhetin, ndërsa shpresa e vetme që “shut down” të zgjasë vetëm nga 1 deri më 2 shkurt.
Kushtet që PSD i ka vënë Haradinajt përfshijnë cështje të mëdha, të cilat nuk do të mund të definohen deri të shtunën më 2 shkurt, kur është caktuar seanca ku pritet të dalë në votim projektligji. Midis kushteve të kërkuara është edhe shkarkimi i Nenad Rikallo dhe funksionalizimi i Bujqësisë.
Ndërkaq, në PSD thonë se nuk kanë ndonjë datë se kur do të shkarkohet ministri serb i Bujqësisë, Nenad Rikallo.
“S’kemi datë për Rikallon. Votohet me 2 shkurt buxheti, nëse shkarkohet Rikallo dhe plotësohen kushtet në afatet e caktuara”, thuhet në një përgjigje të shkruar nga zëdhënësja e PSD-së, Natyra Kuci.
Vetë kryeministri Haradinaj disa ditë më parë ka thënë se Rikallo tashmë ka kërkuar të lirohet nga detyra ‘për arsye të tjerë’, dhe se PSD-së do t’i plotësohet kjo kërkesë.