Ish-Republika Jugosllave e Maqedonisë pritet të marrë së shpejti ftesën për t’iu bashkuar aleancës së Atlantikut të Veriut.
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Shtoltenberg, deklaroi se dokumenti do i dërgohet për ratifikim të gjitha vendeve anëtare, por fillimisht Greqisë, e cila është zotuar ta miratojë atë sapo të vihet në dijeni.
“Protokollin për pranimin e Maqedonisë në NATO do e nënshkruajmë brenda një kohe të shkurtër, proces ky që e lejon Shkupin të ketë karrigen e vet në tryezën e bisedimeve.”– tha Stoltenberg.
Stoltenberg paralajmëroi sidoqoftë se për shkak se ratifikimi kërkon miratimin nga 29 parlamentet e vendeve anëtare të NATO-s, hyrja në aleancë mund të marrë një vit kohë sikurse ndodhi me Malin e Zi në vitin 2017.
Vendimi për përfshirjen në aleancën ushtarake vjen pas votimit në parlamentin grek të Marrëveshjes për ndryshimin e emrit të Maqedonisë në “Maqedoni të Veriut”.
Emërtimi i vjetër ishte bërë shkak në vitin 2008 që Greqia ta bllokonte procesin e anëtarësimit të Maqedonisë në NATO, ndërsa prej asaj kohe palët u futën në negociata intensive të cilat u finalizuan me sukses të premten e kaluar.
Maqedonia aspiron që të bëhet edhe pjesë e Bashkimit Europian, dhe planifikon të fillojë bisedimet për hapjen e negociatave përgjatë muajve të ardhshëm.