Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta e konsideroi të shkëlqyer lajmin e miratimit të Marrëveshjes së Prespës nga ana e Parlamentit grek.
Pas miratimit, presidenti Meta reagoi në faqen e tij zyrtare në Facebook, ku përgëzoi dy shtetet dhe e cilësoi këtë arritje historike.
Postimi i plotë i Metës:
“Miratimi i Marrëveshjes së Prespës edhe nga Parlamenti grek është një lajm i shkëlqyer për marrëdhëniet dypalëshe me Maqedoninë e Veriut dhe për perspektivën europiane dhe euro-atlantike të rajonit tonë! Përgëzime për këtë arritje historike!“, shkruan presidenti në Facebook.
Marrëveshja e Prespës u miratua me 153 vota pro duke i dhënë kështu fund mosmarrëveshjes Greqi-Maqedoni për emrin. Në bazë të marrëveshjes, Republika e Maqedonisë ndryshoi emrin në “Republika e Maqedonisë Veriore”. Nga ana tjetër Greqia u zotua se do të heqë veton për pranimin e vendit në Nato.