MENU
klinika

Shpenzimet e shfrenuara (1928-'39)

Mbreti i vetëshpallur Zog, dasma e tij dhe bejlerët e atëhershëm

23.01.2019 - 20:34

Dasma e mbretit Ahmet Zogu me Konteshën Geraldinë Appony, nisi më 23 prill, me një pritje që Mbreti dhe Mbretëresha e ardhshme dhanë për trupin diplomatik dhe për gazetarët e huaj që kishin mbërritur në Tiranë.

Shpenzimet e dasmës nuk u mësuan kurrë.

Gazeta “Shtypi” e datës 24 prill të 1938-ës, raportoi në faqen e parë: “Banka Kombëtare vuri në dispozicion të Sovranit 10.000 franga ari/me rastin e martesës së tij”. Por shuma zyrtare ishte shumë më e vogël sesa ajo që derdhën individë dhe kompani private për këtë rast.

Duket se pagesa tek Mbreti u bë një lloj manie, siç dëshmojnë këto tituj të shtypit shqiptar: “Shoqëria “SITA” vë në dispozicion të N.M.T. Mbretit shumën prej 5000 fr. ari.” (Java, 1938, nr.46, 18 prill, f.12). “Shoqëria e Elektrikut vuri në dispozicion të L. M. T. Mbretit 15. 000 fr. ari me rastin e martesës së tij. Shoqëria e Selenicës fr. ari 20. 000 dhe Shoqëria E. i. A. A fr. ari 1000” (Gazeta e Korçës 1938, nr. 2943, 23 prill, fq. 4).

Dasma u bë eveniment botëror. Hotelet e paktë të kryeqytetit qenë rezervuar për të ftuarit e Mbretit dhe 79 fotografët e gazetarët e ardhur nga e gjithë bota, përfshi Afrikën e Jugut, Argjentinën dhe Japoninë.

mbreti zog-konica.al

Dhuratat zunë vendin kryesor në shtypin e huaj. Regjenti, Horti, i Hungarisë pati ofruar një pajton tërhequr nga dy kuaj Lipizan, Franca, një servis prej porcelani Sevre, Musolini disa vazo që dikur i përkisnin Napoleonit, ndërsa Mbreti Viktor Emanuel një statujë antike prej bronxi. Dhurata që binte më shumë në sy ishte ajo e bërë nga kancelari i Gjermanisë, Hitler, një Mercedez sportiv kabriole të kuq.

Sipas “Corriere della sera” ekzistonte vetëm një ekzemplar tjetër i këtij modeli, ai i Hitlerit. Në fakt, gazeta italiane gabonte. Mercedez – Benzi që i ishte dorëzuar Mbretit Zog, më 19 prill të 1938-ës, ishte model 540K kabriolet, i njëjtë me atë që Hitleri i kishte dhuruar po atë vit për martesën, Mbretit Faruk të Egjiptit dhe liderit sovjetik, Stalinit, me rastin e 60 vjetorit të lindjes. Makina ishte e kuqe, me veshjen e brendshme bezhë, me stemën mbretërore të stampuar në të dyja dyert. Pas pushtimit të Shqipërisë nga Italia, Zogu e mori atë me vete në Britani. Ajo figuron e regjistruar në Londër me targën ENX 957, por Mbreti doli me të vetëm një herë. Në vitin 1944 nën shtytjen e Geraldinës, ai ia dhuroi makinën Kryqit të Kuq Britanik dhe ky i fundit, ia shiti një personi privat në vitin 1946.

Geraldina pa vetëm pak dhurata, pasi shumica u depozituan në kazermat pranë pallatit që po ndërtohej dhe ku çifti mbretëror nuk u vendos kurrë. Ato mbetën aty shumë kohë dhe u morën më 8 prill të 1939-ës nga ushtria pushtuese italiane. Pas vitit 1950 Geraldina hapi një çështje të gjatë gjyqësore në Itali për të marrë mbrapsht dhuratat, ose vlerën e tyre sipas listës që kishte në dispozicion, por nuk mori asgjë.

Dita e dasmës ishte më 27 prill. Geraldina kujton se ajo u zgjua në orën gjashtë, pavarësisht faktit që kishte rënë të flinte shumë vonë. Veshja e dasmës ishte zgjedhur sërish nga Mbreti. Ajo veshi një fustan të qëndisur me perla dhe diamante të bërë nga Uorth, posaçërisht për të. Në orën 11.00 nusja hyri në sallën e nderit të pallatit. Shtypi amerikan i kushtoi reportazhe të gjata dasmës si dhe atmosferës së saj, si ky i “The Neë -York Sun” i datës 27 prill 1938, i titulluar: “Shqipëria bëhet me Mbretëreshë”.

“Tiranë, Shqipëri 27 prill, (A.P.) Në një ceremoni qytetare e dalluar për thjeshtësinë malësore, Kontesha Geraldina Appony, nëna e së cilës është amerikane, u bë Mbretëresha e parë e shqiptarëve, kur u pranua në martesë nga Mbreti Ahmet Zogu.”

Një breshëri prej 101 të shtënash, jehonat e këmbanave të Kishave dhe thirrjet e muezinëve muhamedanë, që luteshin nga minaretë, sinjalizuan martesën. Ceremonia u mbajt në një atmosferë gjysmë perëndimore e gjysmë orientale. Ata u deklaruan burrë e grua nga Hiqmet Delvina, nënkryetar i parlamentit, pasi ai kishte lexuar kërkesat e Kodit Civil për martesën para 200 të ftuarve dhe anëtarëve të Familjes Mbretërore. Pra, Mbretëresha Geraldina iu bashkëngjit Mbretëreshës Farida të Egjyptit, si Mbretëreshat më të reja të Botës. Mbretëresha Geraldina ishtë 22 vjeç dhe Mbretëresha Farida ishtë 17 vjeç.

Mbretëresha Geraldina ishtë e vetmja Mbretëreshë që përmban gjak amerikan. Ceremonia u zhvillua në një aneks të Pallatit Mbretëror. Muret qenë mbushur me armë antike shqiptare. Nusja, pak më e gjatë se Mbreti, shkëlqente në një fustan nusërie prej sateni të bardhë ,Chanel, thurur me perla dhe fije argjendi në formë lulesh. Bishti i fustanit të saj mbretëror ishte i gjatë. Nga një vello prej tyli të bardhë varej një diademë me lule portokalli.

Mbreti veshi një uniformë parade, mbushur me dekorata, si Kryekomandant i Ushtrisë. Ceremonia ishte tepër e shkurtër. Një detaj ishte butësia dhe kthjelltësia e fjalës“po” nga kontesha në gjuhën shqipe. Dëshmitarët e dhëndrit ishin Princi Abid i Turqisë dhe Konti Çiano, ndërsa të nuses ishin kushëriri i saj, Konti Karl Appony si dhe ministri hungarez. Gjithçka nga këto ishin organizuar në mënyrë ekselente.

Martesa Mbretit Zog me kontesh Apponyi dhe konti Galeazzo Ciano 1938.

mbreti zog-konica.al

Çifti i sapomartuar udhëtoi në mbarim të ceremonive nga Tirana në Durrës me një Mercedes të hapur. Mijëra vetë kishin dalë në anë të rrugës për të parë Mbretëreshën 21- vjeçare.

Geraldina kujton se ata u ulën në verandë për një kafe, përpara se Mbreti t’i tregonte dhomën e madhe të pritjes të mobiluar sipas stilit klasik, dhomën e ngrënies sipas stilit perandorak të Napoleonit dhe dhomën e gjumit në stilin e Maria Terezës. Pallati veror sapo ishte restauruar me rastin e martesës dhe Mbreti Zog mburrej për tavanin e gdhendur, larë në ar. Në të qenë shtruar sixhade të shtrenjta, pjesë e koleksionit të rrallë të Mbretit. Sixhadet, qenë bashkë me armët një prej pasioneve të tij.“Nusja zgjodhi një këmishë nate mëndafshi të bardhë me mëngë të gjata me dantella si këmbanë dhe priste e tmerruar Mbretin në shtratin me tendë.” – dëshmon biografja e Geraldinës.

Pikërisht këmisha e natës u bë incidenti i fundit i dasmës. Të nesërmen në mëngjes ajo nuk gjendej më nga shërbyesja e Mbretëreshës. E shqetësuar, kjo e fundit, ia referoi këtë bashkëshortit. Përgjigjja ishte befasuese: “Të kam folur shumë për mënyrën se si i respektojmë ne femrat, veçanërisht nënat. Ishte e domosdoshme që ti të ishe e virgjër dhe çdo vajzë e huaj që vjen për martesë, duhet t’i nënshtrohet një vizite mjekësore. Unë mburrem me faktin se kam aftësinë t’i njoh njerëzit dhe më mjaftoi vetëm të shikoja sytë e tu. Nuk të thashë asgjë për këtë vizitë, pasi e dija që nuk do të kishe pranuar. Por, në të njëjtën kohë, më duhej t’i jepja prova Parlamentit, kështu që e mora këmishën tënde të natës dhe ia dërgova kryetarit.” Këmisha e natës kishte shërbyer si provë shtetërore e virgjërisë së Geraldinës.

Zogu I përkrah bashkëshortes së tij, Geraldinë, motrat e mbretëreshës, duke e përshëndetur në emër të autoriteteve polake, kreu i Departamentit të Ministrisë së Ministrisë 1939 Varshavë

mbreti zog-konica.al

Zogu dhe Geraldina jetuan të pandarë për 23 vjet, derisa ai ndërroi jetë në Paris në Prill 1961.

Geraldina vdiq në Tiranë në Tetor 2002. Në fund të jetës, i ishte plotësuar amaneti i vetëm, të vdiste dhe të varrosej në vendin që i kishte vënë mbi kokë kurorën. Në vitin 2014, Revista “The Richest” e shpalli atë mbretëreshën e pestë më të bukur në historinë e martesave mbretërore. Pas Mbretëreshës Gres Kelli, të Monakos, Mbretëreshës Rania të Jordanisë, Mbretëreshës Jetsun Pema të Bhutanit dhe Mbretëreshës Soraja të Iranit.

Për të u shkruajtën shumë libra dhe përcaktimi më i shpeshtë që haset është: “Trëndafili i bardhë i Budapestit”!.

Atashe ushtarak Ekrem Libohova Rome 1927

mbreti zog-konica.al

Ndërkohë: Shqiptarë nga fshatrat po shkojnë në Tiranë për martesën e mbretit Ahmet Zog. 1938 (edhe pse janë të varfër)

mbreti zog-konica.al
mbreti zog-konica.al
mbreti zog-konica.al

Pasaporta e shqiptarëve në kohën e mbretit Zog.

“Perëndimi i andrrimeve” dhe poezia e Gasper Palit!

Jeta e shkurtër e poetit që jetoi në kohë të pavarësisë

Në momentin e përurimit, ajo kishte rreth 6.000 vëllime në fond

Biblioteka kombëtare, si u pasurua përgjatë viteve!

Pse çmimet Nobel janë emëruar sipas tij

Kush ishte Alfred Nobel?