MENU
klinika

Ndërhyrja në autostradën Tiranë-Durrës

Mbyllet segmenti Tiranë-Qafë Kashar

03.01.2019 - 17:16

Duke filluar nga ora 5 e mëngjesit të së premtes në autostradën Tiranë-Durrës, konkretisht segmenti Tiranë-Qafë Kashar do të mbyllet për qarkullimin e automjeteve.

Në këtë segment parashikohet të ndërhyhet për të shmangur përmbytjet, ndërsa punimet parashikohet të zgjasin rreth 2 javë. Kjo ndërhyrje cilësohet e domosdoshme edhe pse autostrada parashikohet të zgjerohet. Mëngjesin e së premtes në autostradën Tiranë-Durrës do të nisë ndërhyrja në segmentin Tiranë-Qafë Kashar.

Zëvendësdrejtori i ARRSH-së, Ergys Verdho, deklaron se punimet parashikohen të zgjasin 2 javë dhe synojnë që të shmangin përmbytjet në autostradë.

“Është bërë një studim hidrik për zonën me kërkesë të bashkisë dhe prefekturës Tiranë dhe studimi ka konsistuar në rritjen e kapacitetit të këtyre turbinave dhe tashmë në kuadër të projektit të mirëmbajtjes së performancës të Bankës Botërore është bërë i mundur ekzekutimi i tyre”, shprehet ai.

Sipas Drejtorit të Mirëmbajtjes në Bankën Botërore kjo ndërhyrje vlerësohet e domosdoshme edhe pse parashikohet një zgjerim i autostradës.

Klodian Sava: “Në rast se do të zgjerohet, do ketë një zgjerim të mundshëm të autostradës. Këto do jenë vendime politike, ose vendime më të mëdha, atëherë automatikisht do të bëhet dhe zgjerimi i këtyre turbinave. Por kjo është konsideruar nga ARRSH si ndërhyrje emergjente për të zgjidhur këtë situatë”.

ARRSH i bën apel drejtuesve të mjeteve që ti mirëkuptojnë dhe të ndjekin udhëzimet e policisë rrugore për të shmangur trafikun. Trafiku në këtë segment do të devijohet për të gjitha mjetet në rrugën dytësore, të cilat do të funksionojnë me një drejtim lëvizje.

Ndërsa rekomandohen përdoruesit e rrugës që gjatë kësaj kohe të zgjedhin rrugë alternative për lëvizjet në drejtim të veriut (nga Kamza) dhe në drejtim të jugut (nga Ndroqi ose Elbasani).