MENU

Nga Mentor Nazarko

Meta dhe Kotzias për Bushatin/ Ku bashkohen dhe ku ndahen ?

09.01.2019 - 10:12

Një vendim i Presidentit Meta për të rezonuar me njëfarë kurioziteti a habie publike për largimin e ministrit Bushati, duke mos e dekretuar menjëherë shkarkimin e tij, gjeti rastësisht një deklarim të ish ministrit grek Kotzias pro homologut të tij shqiptar. Të dy këto akte a deklarime e vënë theksin tek figura e Bushatit, duke e veçuar atë nga ministrat e tjerë të larguar nga Rama dhe duke ushqyer kësisoj (në afat të shkurtër) polemika të caktuara rreth zëvendësimit të kryediplomatit shqiptar me një politikan të ri teknokrat që vjen nga Kosova.

Shkarkoni Aplikacionin e Konica.al

Mirëpo çfarë ka ndodhur dhe çfarë pritet të ndodhë ?

Është krejt e qartë se kreu i shtetit nuk ka hapësirë për të mos dekretuar moshkarkimin e një ministri. Nuk ka asnjë precedent. Nuk ka asnjë bazë legale as në letrën tonë kushtetuese, dhe as në modele të tjerë jashtë nesh. Kësisoj Meta don të rezonojë me atë pjesë të opinionit publik, që nuk e pëlqen ndryshimin, apo me opozitën që edhe ajo mes ndryshimeve të tjera, bën sikur e veçon Bushatin për të rritur diversionin qoftë brenda PS-së, qoftë në Shkodër, qoftë dhe midis presidentit dhe kryeministrit. Nga ana tjetër, Meta si në rastin e Lleshit kërkon të instalojë në mënyrë të qëndrueshme të paktën sa të jetë ai në krye të shtetit, zakonin sipas të cilit kryeministri duhet ta pyesë presidentin për emrat e ministrave në dikastere ku sipas kushtetutës ai ka kompetenca të caktuara.

Duke bërë kështu Meta praktikisht ushqen, stimulon në mënyrë të vetëdijshme, apo të pavetëdijshme shkrime që lavdërojnë ministrin e jashtëm me të cilin ai ka patur sistematikisht probleme në të gjithë rolet e tij si kreu i LSI-së, kreu i parlamentit dhe tani president. Pra në këtë akt të fundit e ka forcuar sadopak imazhin e një rivali të tij. Madje edhe më herët, kur i ka krijuar probleme e ka përforcuar imazhin e tij ndërkombëtar, si ka ndodhur me rastin e refuzimit për të dhënë plotfuqitë për negocimin e marrëveshjeve me Greqinë, detin, ligjin e luftës, etj, etj. Pra Bushati konstruktiv, por Meta pengues, dialektikë normale midis institucioneve në fakt, e cila e fuqizoi dhe Shqipërinë.

E ky theksim i rolit të Bushatit u duk nga ana tjetër dhe me intervistën e fundit të ish shefit të diplomacisë greke, Kotzias i cili e quajti Ditmirin, bashkëbiseduesin më serioz, më të pjekur në institucionet shqiptare me të cilin arriti të mbyllte paketën e marrëveshjeve dypalëshe, por që u mbajtën peng nga mungesa e Gjykatës Kushtetuese- thotë Kotzias (jo Meta) dhe nga qarqe të caktuara në Greqi.

E vërteta është se lavdëratat e Kotziasit dhe qëndrimi i sotshëm i Metës megjithatë i krijojnë Bushatit ndonjë problem të vogël në imazhin e tij si kryediplomat i Shqipërisë brenda së majtës, përkatësisht brenda partisë së vet, e pse jo dhe jashtë saj. Nga e di Kotzias se Bushati është më seriozi, kur nuk i ka provuar të tjerët ? Pse ai zgjodhi këtë moment të merret me largimin e Bushatit në këto terma, ndërsa atakoi të djathtën greke, apo pjesë të caktuara të qeverisë së vet, si qarqe që janë të prapambetura dhe jashtë kohe në lidhje me Shqipërinë ? Për të treguar se është i informuar për zhvillimet shqiptare ? Për t’i dhënë mesazhe të koduar shefit të qeverisë së tij ?

Nëse Bushati ka përfunduar negociatat, cilat janë termat e saj dhe pse Kotzias është i lumtur me përfundimin e tyre ?

Cilatdo qofshin mesazhet e ish kryediplomatit grek, profesorit Kotzias, e vërteta është se ndër pikat më të forta të veprimtarisë së ministrit të jashtëm Bushati, nga 2013 e këtej, është padyshim ngritja e çështjes çame, vendosja përfundimtare në axhendë e ligjit të luftës, apo pse jo dhe këmbëngulja për të rihapur marrëveshjen e detit. Dhe qershia në tortë- kryesimi i radhës i OSBE-së.

Të gjitha këto qëndrime, në të cilat Bushati është ideator apo ekzekutor, bashkë me Ramën, janë pjesë e një rritje të dinjitetit të politikës së jashtme shqiptare e cila e forcoi profilin e saj ndërkombëtar dhe rajonal, në Kosovë, Maqedoni, përkundrejt Serbisë, duke ndërtuar një raport të qëndrueshëm edhe me Turqinë. Dhe të marrësh lavdërata nga Kotzias, që bash për këto do duhet ta qortonte Bushatin, apo të mbrohesh indirekt nga presidenti, nuk është ndonjë avantazh për imazhin e tij brenda PS-së.

Kotzias ka një pjesë të vërtetës me gjasë, ndërsa thotë se Bushati besnik i linjës gjermane është larguar nga kryesimi i diplomacisë shqiptare për shkak të distancimit të hapur ndaj një skenari marrëveshjeje midis Kosovës me Serbinë që nuk e përjashton edhe korrigjimet territoriale. Kjo besnikëri e ka vendosur ndoshta në njëlloj përplasje me autoritetet kosovare, në kohën kur Shqipëria dhe Kosova duhet të jenë në unison të plotë në lidhje me këtë temë.

Me gjasë dhe Meta i cili ngjan se është në të njëjtën gjatësi vale me Bushatin për shkëmbimet territoriale, (megjithë takimet e tij të fundit në Kosovë me gjithë krerët e institucioneve kosovare), nëpërmjet shtyrjes së dekretimit në ditën e fundit të afatit kushtetues, kërkon dhe ai një zë në këtë kapitull të ri. Procesi i bisedimeve me Serbinë që tashmë u shndërrua në çështje globale me letrat e Trump, nuk është kësisoj një çështje ngushtësisht e Kosovës, dhe Rama tanipërtani duket relativisht më i përfshirë se Meta. E me veprimin e fundit Meta indirekt kërkon hisen e vet të ndikimit, në një proces që mund të përfundojë suksesshëm në Shtëpinë e Bardhë ku do jenë të ftuar me gjasë dhe krerët e rajonit.

Ky ishte një lexim i sforcuar i dy ngjarjeve që ndodhën rastësisht në një kohë, por që nuk janë pa lidhje me njeri tjetrin- shtyrja nga Meta e shkarkimit të Bushatit dhe deklarata e Kotzias.

Efektet kolaterale pastaj nuk dihet se cilat do të jenë. Sot dhe nesër.