MENU
klinika

‘’Agu i mëngjesit’’

Morali dhe amoraliteti sipas Friedrich Nietzsche-s

30.01.2019 - 13:04

Një nga autorët që lë mbresa në leximin e filozofisë gjermane është dhe Friedrich Nietzsche. Pesimizmi i tij nihilist për vlerat, normat, virtytet, moralin, normat shoqërore kanë probleme që në premisa, që në themele.

Dhe ai është i vendosur në bindjet e veta si një filozof nismëtar që do të hedhë gjithë këtë qytetërim që quhet ‘gërmadhë’ për të rindërtuar një njeri të ri. Morali është një nga problemet që ai shpreh në hyrjen e librit ‘’Agu i mëngjesit’’. Më poshtë po ju sjellim mendimi ne tij të plotë në hyrjen e këtij libri mjaft interesant.

Në këtë libër do të jeni duke punuar një njeri ‘’nëntokësor’’, një njeri që shpon e gërryen, do ta shikoni atë duke supozuar që keni sy të aftë për të parë këtë punë të thellësive-sesi shkon ngadalë përpara, me kujdes dhe me një papërkulshmëri të butë, pa u shqetësuar shumë për mjerimin që sjell me vete mungesa gjatë e dritës dhe e ajrit, madje mund ta quani pothuajse të lumtur nga puna e tij në errësirë.

A nuk duket sikur ndonjë besim e udhëheq, sikur ndonjë ngushëllim e dëmshpërblen? Sikur ai ndoshta dëshiron një errësirë të gjatë për veten, dëshiron gjera që i ndjen si të tijat, gjëra të pakuptueshme, të fshehta enigmatike, sepse e di se çfarë do të përftojë më pas nga këto: mëngjesin e tij, çlirimi ne tij, agun e tij?…Ai do të kthehet, është e sigurt: mos e pyesni se çfarë po kërkon aty poshtë, në fund do t’jua thotë vetë, ku Trofonius, ky i nëndheshëm , sapo të ‘’bëhet njeri’’ përsëri.

Harrohet krejtësisht zakoni i të qenit i heshtur kur ke qenë urith, kur ke qënë i vetëm për një kohë të gjatë sa ai. Dhe vërtet, miqtë e mi të duruar, tani do t’ju them atë që po vëja atje poshtë, do t’jua them në këtë parathënie të mëvonshme, e cila mund të ishte shndërruar fare lehtë në një nekrologji, në një fjalë të përmotshme, por unë u ktheva dhe, e besoni apo jo, shëndoshë e mirë. Mbi të gjitha mos e çoni ndërmend se unë do t’ju ftoj në një ndërmarrje të tillë të rastësisë, apo qoftë edhe vetëm nuk takon askënd: nga kjo dallohen ‘’rrugët e veçanta’’. Askush nuk të vjen në ndihmë aty: duhet t’i përballësh vetë të gjitha rreziqet, rastësisë, ligësistë dhe të gjitha kohërat e këqia që has. Sepse kjo rrugë është vetëm jotja-dhe, siç është e drejtë, edhe hidhërimi e ndonjëherë mërzitja që ndjen për shkak të kësaj ‘’vetëm jotja’’ por mes këtij hidhërimi dhe kësaj mërzitje përfshihet për shembull, pamundësia në të cilën gjenden miqtë e tu për të gjetur se ku je, se ku po shkon, aq sa ndonjëherë ata pyesin veten’’.

Si? Ende po bën përpara? Ende e ka një rrugë? Në këtë kohë unë ndërmarr diçka që jo çdokush mund ta bëjë-zbres në thellësi, nis të gërmoj nën themele, filloj të shqyrtoj dhe t’i vë kazmën një besimi të vjetër mbi të cilin, prej disa mijëra vjetësh, ne filozofët jemi mësuar të ndërtojmë dhe kemi vazhduar gjithnjë të ndërtojmë si mbi themelet më të qëndrueshme, edhe pse deri tani, çdo ndërtim që kemi ngritur është shembur: unë nisa të shkatërroj nga themelet besimin tonë te morali. Mos vallë nuk po më kuptoni?

Deri tani është reflektuar dobët mbi të mirën dhe të keqen: kjo ka qenë gjithmonë një gjë tepër e rrezikshme. Ndërgjegjja emri i mirë, ferri, ndonjëherë edhe policia, nuk e lejonin dhe ende nuk e lejojnë paanësinë; në prani të moralit, ashtu si përballë çdo autoriteti, është e lejuar që të mendosh dhe, akoma më pak të flasësh, aty duhet të bindesh!

Që prej kohës kur ekziston bota, asnjë autoritet nuk ka dashur ta lërë veten të bëhet objekt kritike dhe të mos shkojë deri aty sa të kritikojë moralin, ta shikojë moralin si një problem, si problematik, Si? Po a nuk ka qenë kjo, a nuk është kjo imorale? Por amorali nuk është se ka në dispozicion të tij vetëm të gjitha llojet e mjeteve të frikësimit për të mbajtur larg duart kritikuese dhe instrumentet e torturës; siguria e tij qëndron para së gjithash te një lloj arti i tundimit ku ai është mjeshtër, ai di si të ‘’ngazëllejë’’. Ai shpesh ia del që, edhe me një vështrim të vetëm, të paralizojë vullnetin kritikues, apo edhe ta tërheqë atë drejt tij duke e bërë për vete, por ka edhe raste kur morali e bën kritikën të kthehet kundër vetes, në atë mënyrë që, ashtu si akrepi, ajo ta ngulë thumbin në vetë trupin e saj.

 Sepse morali njeh mirë, qysh prej një kohe të gjatë, çdo lloj djallëzie në artin e të bindurit: edhe sot e kësaj dite nuk gjendet asnjë gojëtar që të mos i kthehet atij për t’i kërkuar ndihmë (këtë e dëgjojmë, për shembull, edhe te anarkistët tanë’ sa moralisht që flasin për të bindur të tjerët! Dhe së fundit e quajnë veten e tyre ‘’të mirët dhe të drejtët’’).

Morali e ka shfaqur veten si mjeshtrin më të madh të tundimit, që prej kohës kur njerëzit nisën të flasin në tokë e të mbushin mendjet dhe, përsa na përket ne të tjerëve, filozofëve, ai është vërtet. Çirçeja e filozofëve. Sepse, si mund të quhet ndryshe nëse, duke u nisur që nga Platoni, të gjithë ndërtuesit filozofikë në Europë kanë ndërtuar më kot? Nëse gjithçka rrezikon të shembet, ose tashmë gjendet e humbur nën rrënoja-gjithcka që ata besonin ndershmërisht dhe seriozisht se është aere perennius? Djallo o punë! Sa e gabuar është kjo përgjigje që ende dhe sot gjendet në majë të gjuhës kur shtrohen pyetje të tilla: ‘’Meqë ata të gjithë nuk përfillën ta pranonin hamendjen, shqyrtimin e themelit, atëherë një kritikë për të gjithë arsyen’’-sigurisht, nuk ishte kjo përgjigje e kobshme e dhënë nga Kanti që na tërhoqi ne të tjerët, filozofët, mbi një tokë të qëndrueshme dhe më pak të pabesë! (dhe, le ta themi kalimthi, a nuk do të ishte paksa e çuditshme të kërkohej që një isntrument të kritikojë aftësinë dhe efektivitetin e vet?

Që vetë instikti të ‘’njohë’’ vlerën, fuqinë, kufirin e tij? A nuk do të ishte disi qesharake kjo?) përgjigja e drejtë do të kishte qenë kjo që, përkundrazi, të gjithë filozofët, përfshi dhe vetë Kantin me të tjerët, i kanë ngritur ndërtesat e tyre nën ndikimin tundues të moralit, që synimi i tyre , vetëm në dukje drejtohej nga siguria dhe nga ‘’e vërteta’’ ndërsa në realitet vëmendja e tyre isthe drejtuar te ‘’ndërtesa e madhe morale’’, për të përdorur edhe një herë gjuhën e pafajshme të Kantit, i cili konsideronte si detyrë të tijën një detyrë ‘’më pak të ndryshme, por që nuk është krejt pa merita’’ dhe si punë të tijën ‘’të nivelojë dhe të përgatisë tokën e qëndrueshme ku do të ngrihej kjo ndërtesë e madhërishme morale’’ (Kritika e arsyes së pastër, II, f, 257)

Ah! Ai nuk ia doli mbanë, madje krejt e kundërta- dhe ne duhet ta pranojmë sot këtë. Me synimet e tij tepër të larta, Kanti ishte biri i vërtetë i shekullit të tij, i cili mund të quhet, më shumë se çdo tjetër, shekulli i lartësimit: dhe kështu ka vazhduar të jetë ai për fat të mirë, në lidhje me anën më të çmuar që ka shekulli i tij (për shembull , me atë pjesë të mirë ndjeshmërie që futi në teorinë e tij të njohjes).edhe ai nuk i shpëtoi dot pickimit të atij zekthit moral, Rusoit, edhe ai ndjeu t’i rëndonte në shpirt fanatizmi moral, ndërkohë një tjetër dishepull i Rusoit besonte dhe shpallte se ishte ekzekutuesi , e kam fjalën për Robespierin, i cili donte ‘’de fonder sur la terre l’empire de la sagesse, de la justive et dë la vertu’’(të themelonte mbi tokë perandorinë e urtësisë, drejtësisë dhe virtytit-fjalimi i tij i 7 qershorit 1794).

Nga ana tjetër, me një fanatizëm të tillë francez në zemër, askush nuk mund ta merrte atë në një mënyrë më pak franceze, më të thellë, më të qëndrueshme, më gjermane- nëse në ditët tona fjala ‘’gjermane’’ende është e lejueshme të përdoret në këtë kuptim- nga sa e mori Kanti: me qëllim që t’i bënte vend ‘’perandorisë morale’’ të tij, ai e pa veten të detyruar t’i shtonte asaj një botë të patregueshme, një ‘’botë të përtejme’’ logjike- pikërisht për këtë atij iu desh kritika e arsyes së pastër! E thënë me fjalë të tjera , ai nuk do të kishte patur nevojë për të, nëse nuk do të kishte qenë diçka e cila i interesonte më shumë se çdo gjë tjetër: ‘’botën morale’’ të pacënueshme, apo më mirë akoma, të pakapshme nga arsyeja, sepse ai e ndjente tepër fort se rendi moral mund të dëmtohej përballë arsyes!

Përballë natyrës dhe historisë, Kanti, si çdo gjerman tjetër i mirë, që nga kohët më të vjetra, ishte pesimist; ai  besonte te morali jo sepse ky tregohej nëpërmjet natyrës dhe historisë, por pavarësisht se natyra dhe historia e kundërshtonin atë pa pushim. Për ta kuptuar këtë ‘’pavarësisht se’’ ndoshta do të na duhet të kujtojmë diçka të afërt te Luteri, edhe ky një tjetër pesimist i madh, i cili një herë donte të bënte të ndjeshëm miqtë e vet me gjithë trimërinë e tij luteriane:

 ‘’Nëse do ta kuptonim nëpërmjet arsyes sesa i drejtë dhe i mirë është Zoti, i cili shfaq shumë zemërim dhe ligësi, atëherë për çfarë do të hynte në punë bësimi?’’

Sepse, në të gjitha kohërat, asgjë tjetër nuk i ka bërë më shumë përshtypje shpirtit gjerman, asgjë nuk e ka ‘’tunduar’’ më tepër, se ky përfundim që do t’i dukej çdo latini të vërtetë si mëkat kundër shpirtit: ‘’credo quia absur-dum est’’(besoje, megjithëse është absurde).-Me të, logjika gjermane hyri për herë të parë në historinë e dogmës së krishterë, por ende dhe sot, një mijë vjet më pas, ne gjermanët e sotëm, gjermanët e vonë nga çdo pikëpamje, paraqesin diçka nga e vërteta, një mundësi të së vërtetës, pas parimit të famshëm themelor të dialektikës nëpërmjet të cilit Hegeli siguroi fitoren e shpirtit gjerman mbi Europën- ‘’Kontradita vë në lëvizje botën, të gjitha gjërat kundërshtjnë vetveten’’. Madje ne jemi , deri edhe në logjikë pesimistë.

Por gjykimet logjike nuk janë më të thellat dhe më themeloret, drejt të cilave mund të zbresë mosbesimi unë i guximshëm: besimi te arsyeja,  i cili është i pandarë nga vlefshmëria e këtyre gjykimeve, është, si besim, një dukuri morale…Ndoshta pesimizmi gjerman duhet të bëjë edhe hapin e tij të fundit këtu? Ndoshta do t’i duhet, edhe një herë, të vendosë njërën përballë tjetrës në një mënyrë të tmerrshme, credo-n e tij dhe absurdum-in e tij? Dhe nëse ky libër është pesimist deri në lidhje me moralin, madje deri përtej besimit te morali-a nuk do të ishte ai, pikërisht për këtë arsye, një libër gjerman?

Sepse ai paraqet në fakt një kontraditë të cilës nuk i trembet: te ai është tërhequr mbrapsht besimi te morali-përse vallë? Nga moraliteti! …më mirë, si duhet ta quajmë ne atë që ndodh në këtë libër, atë që ndodh te ne? Sepse shija jonë priret drejt përdorimit të shprehjeve më modeste, po nuk ka pikë dyshimi, ne na flet kështu një ‘’ti duhet’’, ne i bindemi një ligji të rreptë që ndodhet përmbi ne- dhe ky është vajtimi i fundit i moralit të cilin ne ende e dëgjojmë, të cilin edhe ne ende duhet ta jetojmë: nëse jemi në ndonjë gjë njerëz të ndërgjegjes, jemi pikërisht këtu, pasi, për ta shpjeguar me fjalë të thjeshta, ne nuk duam të kthehemi te ajo që e shikojmë si të kapërcyer dhe që i ka ikur koha, te ajo që e konsiderojmë si ‘’të padenjë për besimin’’, cilido qoftë emri që i japin, Zot, virtyt, e vërtetë, dretjësi, dashuri për të afërmin, ne nuk do t’ia lejojmë vetes të hapim një rrugë të gënjeshtërt drejt idealit të vjetër, ne i kundërvihemi thellësisht gjithçkaje që do të donte të na afrohej dhe të shërbente si ndërmjetës, jemi armiqtë e mefshtësisë të gjithë romanticizmit dhe të atdhedashurizmit, armiq edhe të sensit artistik të kënaqësisë dhe të mungesës së ndërgjegjes artistike, të cilët duan të na bindin se duhet të adhurojmë atë që nuk e besojmë më- sepse ne jemi vetë artistë me një fjalë, jemi armiq të të gjithë feminizmit europian (ose të idealizmit, nëse ju pëlqen që t’jua them kështu), i cili përjetësisht ‘’tërheq për lart’’ dhe si rrjedhim, përjetëisht ‘’ul poshtë’’.

Por duke qenë njerëz me një ndërgjegje të tillë, ne e ndjemë se jemi ende të lidhur me këtë drejtësi dhe mëshirë gjermane mijëra vjeçare, megjithëse ne imoralistët dhe ateistët mund të jemi pasardhësit e vonë dhe të pasigurt të këtyre virtyteve, madje ne e konsiderojmë veten në një farë kuptimi si trashëgimtarët e asaj drejtësie dhe mëshire, si zbatuesit e vullnetit të tyre të brendshëm, një vullnet pesimist, siç e kam treguar tashmë, i cili nuk trembet nga mohimi i vetvetes, sepse e mohon veten me gëzim! Te ne përmbushet, nëse dëshironi një formulë, vetshfuqizimi i moralit.

Po në fund të fundit, pse u dashka që ta themi me zë të lartë dhe me kaq zell se kush jemi , se çfarë duam dhe se çfarë nuk duam? Le ta shohin këtë me më shumë gjakftotësi dhe me më shumë mençuri, nga më larg e më lart. Le të themi ashtu siç mund të thuhet mes nesh, me një zë aq të ulët saqë të mos e dëgjojë tërë bota, që të mos na dëgjojë tërë bota! Para së gjithash, le ta themi atë ngadalë… Kjo parathënie erdhi vërtet vonë, por jo shumë vonë: Një libër si ky dhe një problem si ky nuk kanë kurrfarë ngutjeje; për më tepër, ne jemi miq të lento, edhe unë, edhe libri im. Jo më kot kam qenë filolog, dhe ndoshta ende jam i tillë. Me filolog dua të them mjeshtër i leximit të ngadaltë- dhe kështu përfundon edhe duke shkruar ngadalë.

Ndërsa tani nuk është vetëm se më shkon sipas zakonit, por edhe sipas shijes-një shije e ligë ndoshta? Dhe kjo është: të mos shkruash më asgjë tjetër përvec asaj që do të dëshpëronte ata lloj njerëzish që kanë ‘’ngutje’’.

Sepse filologjia është ia art i nderuar i cili kërkon nga adhuruesit e tij para së gjithash një gjë, të tërheqësh mënjanë , të kesh kohë, të bëhesh i heshtur, të bëhesh i ndadalshëm –një art argjendarie dhe një zotërim i mjeshtërisë së argjendarit në njohjen e fjalës, një art që kërkon një punë të hollë dhe delikate dhe që nuk arrin asgjë nëse nuk zbatohet më lento.

Por pikërisht për këtë arsye ai është sot më i nevojshëm se kurrë, në mes të moshës së ‘’punës’’, dua të them të ngutjes, të nxitimit të pahijshëm që nxit dhe do që ta ‘’përfundojë gjithcka’’ me një frymë, përfshi dhe një libër, qoftë ky i vjetër apo i ri- Ky art nuk i mbyll punët kaq lehtë me të gjithë gjërat, ai mëson të lexosh mirë, domethënë ngadalë, me thellësi, vëmendje dhe kudjes, me rezerva, me porta të hapura, me sy dhe gishta delikate… miq të duruar, ky libër i uron vetes që të ketë vetëm lexues dhe filologë të përkryer: mësoni të më lexoni mirë!

Ruta pranë Gjenovës, Friedrich Nietzsche-Vjeshtë e vitit 1886

Marrë nga libri ‘’Agu i Mëngjesit’’ Uegen

 

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN



Meli Qena: Është peridha më e ndritshme e jetës time

40 vjetori i themelimit të Teatrit ‘Dodona’

Arratisja më e madhe në veriun e vendit

Si e kaluan kufirin 26 veta të familjes Skepi më 1958!

Çfarë i ndodhi doktor Guarametos, i qëlluar nga hetuesi i tij

Misteret e një darke në faqet e një romani magjik të Ismail Kadaresë!

Bashkëshortja e ish-futbollistit rrëfen lidhjen e tyre pasionante

Piloti që u bë portier, historia e Mikel Jankut!

Xhufi: Enver Hoxha nuk donte t’ia linte partinë…

43 vjet nga vdekja, letra e fundit e Mehmet Shehut!