MENU
klinika

The Guardian

Nancy Pelosi, e vetmja femër që “i tregon vendin” Trumpit…

20.01.2019 - 11:58

Donald Trump është mjeshtri i emërtimit të kundërshtarëve të tij me pseudonime që në njëfarë mënyre i tallin ata.

Por deri tani Trump e ka quajtur kryesuesen e Dhomës së Përfaqësuesve, Nancy Pelosi, thjesht “Nancy”.

Nancy Pelosi, është shfaqur si armike e presidentit. Ndërkohë që mbyllja e pjesshme e qeverisë vazhdon, demokratët vazhdojnë të refuzojnë 5.7 miliardë dollarët, për ndërtimin e një muri.

Të shtunën, ajo lëshoi ​​një deklaratë me fjalë të ashpra, duke hedhur poshtë marrëveshjen e propozuar të Trump për t’i dhënë fund mbylljes.

Michael Cornfield, profesor i asociuar i menaxhimit politik në Universitetin George Washington në Uashington tha “Ajo po e tall Trumpin. Ai nuk ka idenë se çfarë po bën. Ai është një gjeni i arteve publicitare, jo arteve politike. Në këtë ai është fillestar”.

Tani 78 vjeç, jeta dhe karriera e Pelosit e kanë përgatitur atë për këtë betejë. Ajo ka lindur në Baltimore, Maryland, më e vogla e gjashtë fëmijëve dhe vajza e vetme. Babai i saj ishte një kongresmen amerikan i kthyer në kryebashkiak.

Pelosi u bë aktiviste e partisë në Kaliforni dhe u zgjodh në Kongres në vitin 1987. Ajo ishte gruaja e parë që u bë Kryesuesja demokrate e Dhomës së Përfaqësuesve, nga viti 2007 deri në 2011, dhe kohët e fundit e rifitoi atë pozitë.

Por tani Shtëpia është në duart e Demokratëve dhe Pelosi, e disiplinuar, e matur, kërcënon të nxjerrë në pah mungesën e përvojës politike të Trump.

Bilanci i ri i pushtetit u bë i dukshëm më 11 dhjetor kur Pelosi dhe Chuck Schumer, udhëheqësi i pakicës demokratike në Senat, u takuan me Trump dhe zëvendëspresidentin Mike Pence në Zyrën Ovale.

Trump ishte larguar nga kjo mbledhje, pasi Pelosi kishte refuzuar sërish që të mbështeste financimin e murit. “Sapo u largova nga takimi me Chuck dhe Nancy, një humbje totale e kohës”, shkroi më pas Trump në llogarinë e tij në rrjetin social, Twitter.

Gjatë Krishtlindjeve dhe në vitin e ri, llogaria Twitter e Trump dhe aleatët e tij në mediat konservatore i kanë fajësuar demokratët për mbylljen. Pelosi ka vendosur që do të bëjë sulme precize dhe “vdekjeprurëse”.

Duke përmendur mbylljen e pjesshme të Qeverisë, presidenti amerikan, Donald Trump ka detyruar anulimin e një udhëtimi që ishte planifikuar ta realizojë kryesuesja e Dhomës së Përfaqësuesve, Nancy Pelosi në Afganistan.

Trump i ka thënë në një letër Pelosit se delegacioni kongresional, i cili ishte planifikuar të vizitojë trupat amerikane në Afganistan si dhe të bëjë një ndalesë në Bruksel, nuk do të mund të udhëtojë me aeroplan ushtarak, pasi këto takime i ka cilësuar si “ngjarje të marrëdhënieve me publikun”.

Pelosi kundërshtoi duke e akuzuar Trump për vënien në rrezik të trupave dhe civilëve që punonin në Afganistan duke anulluar udhëtimin e planifikuar.

Është joshëse për të parë duelin mes tyre, për shkak të prizmave të moshës, gjinisë, partisë apo pasurisë personale.

Autorja Cindy Simon Rosenthal, thotë: “Ka njerëz që e shohin atë si luftë të pushtetit, midis një presidenti republikan dhe kryetares demokrate”.

Diçka është e sigurt, Nancy Pelosi, është ndër të vetmet femra, që po  tregon vendin presidentit Trump./konica.al