MENU

Analizë Kulturore

‘Delegacioni’, Leo dhe enigmat e tij

09.01.2019 - 10:39

‘’Enigmat e një kohe që mishërohen te protagonisti Leo’’

Më 26 nëntor në kinemanë Cineplexx në Kosovë u dha premierë filmi. Në datën 10 janar do të realizohet përsëri ky film që është mirëpritur shumë mirë nga publiku shqiptar.

Filmi është bashkëprodhim i NSH Bleri Production Kosovë, dhe me Art film Shqipëri, Zorba Production France dhe Graal films Greqi filmi ‘Delegacioni’ pas një varg suksesesh triumfon edhe në Kosovë në fundvit të 2018.

Filmi “Delegacioni” nisi rrugëtimin e tij dhe triumfoi në vend të parë edhe në Poloni. Ajo u dha premierë botërore në Warsaw Film Festival në Poloni, në edicionin e 34-të të këtij festivali. Warsaw Film Festival  e quajtur ndryshe edhe festivale të Kategorisë A.

Ka pasur reagim edhe në qarqet intelektuale kur u dha premierë në Prishtinë. Një analizë e këtij filmi vjen dhe nga Nga Fitore Rubovci, dramaturge dhe regjisore.

“Delegacioni” është film i metrazhit të gjatë, me skenar të Artan Minarollit e regji te Bujar Alimanit. Në rolet kryesore: Viktor Zhusi, Ndricim Xhepa, Xhevdet Ferri, Richard Sammel. Filmi është bashkëprodhim i Art film Shqipëri, Bleri Production Kosovë – Blerim Gjinovci, Zorba Production France dhe Graal films Greqi.

Në fokus të filmit “Delegacioni” është Shqipëria e vitit 1990, kur ajo ishte në një gjendje shumë të errët, disi kaotike, që i ngjante një vullkani që brenda vlon e në sipërfaqe duket gjendja e qetë, ani se ajo është një qetësi fluide.

Shqipëria ishte në gjendje të agonisë, kur regjimit të vjetër të diktaturës i ishin trandur themelet, e perspektiva e re ende nuk dukej gjëkundi.

Filmi të fut në një gjendje të padefinuar, në një botë disi të tëhuajtur,  kur edhe gjërat më të thjeshta mund të marrin dramacitet, të shndërrohen në tension dhe të përfundojnë tragjikisht.

Përjetimin e pasigurisë dhe perceptimin e frikës nga diçka e padukshme por e pranishme e shpreh kreativiteti dhe loja  në nivel e aktorëve. Ndaj, nga perspektiva ime, e një brezi të lindur atyre viteve, filmi ka në epiqendër dilemat, mëdyshjet, pasigurinë, hamendësimet. Atmosfera duket si një ëndërr e keqe.

Sfondi i filmit është gjendja politike në Shqipëri, kur, për shkak të rënies së Murit të Berlinit dhe shembjes së rendit socialist në të gjitha vendet europiane, përfshirë edhe vetë Bashkimin Sovjetik të dikurshëm, pushtetarët pretendonin të bënin ndryshime të regjimit.

Një delegacion nga Europa vjen në Shqipëri për të monitoruar se si po zhvillohen reformat demokratike.

Asokohe Shqipëria kishte aplikuar për anëtarësim në KSBE (sot OSBE), për cka ishte kusht zbatimi i reformave sistemore drejt demokratizimit.

Ardhja e delegacionit në vend kontekstualizohet duke marrë ngjyra personale. Në krye të delegacionit ishte zoti Loherin, të cilin e luan Richard Sammel. Ai njihej me Leon, meqë kishin qenë dikur kolegë studimesh në Pragë. Por fati i Leos ishte katandisur: ai ishte dënuar politikisht dhe mbahej në burg qe 15 vite.

Drama e filmit është jo aq dinamike, në kuptimin e zhvillimit të ngjarjeve. Nga Ministria e Punëve të Brendshme shkojnë dhe e marrin Leon nga burgu dhe e nisin drejt Tiranës. Takimi i Leos me delegacioni duhej të prezantonte Shqipërinë si një vend ku ndryshimet ishin gjoja në kahun e duhur. Gjatë rrugës dalin pengesa, në njërën anë ato teknike lidhur me mosfunksionimin e makinës, por në anën tjetër edhe ato nga profesori Leo. Gjatë udhëtimit, me një ton të qetë por të prerë, Leo shprehte qëndrimin se nuk bëhet vegël e pushtetit, duke lënë të nënkuptohet se ai nuk do të thoshte atë që donin pushtetarët.

 

Struktura dramatike, në shikim të parë, jep një udhëtim dhe pritje drejt realizimit të qëllimit, për takimin e delegacionit europian. Por në të vërtetë, krejt natyrshëm përmes dialogut të mprehtë krijohet një tension i brendshëm psikologjik tek audienca.

E veçanta e filmit “Delegacioni” është ndërtimi i karaktereve, pra ai i Viktor Zhusit, karakter i gdhendur dhe i plotësuar aq mirë, sa që shikimi i tij, heshtja, toni i zërit të tij e shprehin në mënyrë të fuqishme tërë barrën e përjetimeve të tij dhe, mbase, edhe të tërë gjendjes së asajkohe në Shqipëri.

Po aq i realizuar është edhe roli i Ndriçim Xhepës (Spiro) e Xhevdet Ferrit (Asllani), të cilët e bartin linjën e zhvillimit të strukturës së filmit, ku ky i fundit e bart një barrë të rëndë të veprimeve të tij në të kaluarën.

Rol i realizuar është edhe ai i Kasem Hoxhës (Shoferi), i cili e ndihmon realizimin e linjës kryesore të filmit. Këtë dramë e përplotëson edhe mekaniku, i cili është memec dhe babai i tij, të cilin e luan Bislim Muçaj.

Atmosfera e pasigurisë dhe të gjendjes së mjerueshme të asaj kohe shprehet përmes Sekretares, e cila, Spiros dhe Asllanit, ju rrëfen për gjendjen buzë ekzistenciale të fshatarëve të asaj treve.

Ndërsa në anën tjetër, në Tiranë, bëhet një shfaqje teatrale, ku i mundësohet z. Loherin të shkojë e ta takojë nënën e Leos. Atij nuk i ishte treguar se Leo ishte në burg dhe larg Tiranës, por i ishte lënë të nënkuptohej sikur Leo ishte qytetar i lirë dhe ndodhej diku në qytet e që do të vinte shpejt. Meqë Leo nuk vjen në kohën e caktuar,  z. Loherin largohet.

 

Ndonëse në përgjithësi dominon atmosfera e zymtë, si përshkëndijime shfaqen dy mësueset e reja, Letës (Fatlume Bunjaku) dhe Sofijes (Mirela Naska) , të cilat pasqyrojnë brezin e ri, të hapur, dashamirës dhe solidarë – si një relaitet i ri, i fshehur e indrojtur por i sinqertë dhe i pastër që mbase duhej të ishin e ardhmja e Shqipërisë.

Epilogu i filmit është befasues dhe disi i papritur. Leo dhe Asllani që e shoqëronte, bëjnë një dialog të ashpër derisa prisnin rregullimin e makinës dhe ky i fundit e qëllon për vdekje me pistoletë.

Kuptimi i kësaj mbase mund të nxirret nga një reflektim: me tërë atë përgatitje intelektuale që kishte Leo, a nuk e kishte kuptuar ai rrezikun nga një dialog i ashpër me një njeri të tillë, sikundër ishte Asllani? Kjo nuk duket e besueshme. Mbase ai e dinte mirë këtë dhe me qëllim e bën agresiv debatin përmes një ngacmimi emocional. Kjo disi të sjell ndërmend sjelljen e Jul Cezarit, kur i ishte përgatitur atentati dhe ndonëse ai kishte njoftim, jo vetëm nuk i shmanget por shkon drejt e në grackë: kështu do të siguronte pavdekësinë.

Mbase edhe Leo, gjatë tërë udhëtimit, kishte kuptuar se fundi i jetës së tij do të ishte gjithsesi pas takimit me delegacionin. Ndaj, ai zgjodhi atë që me vdekjen e tij, të mos vihej në shërbim të së keqes, por të jepte sinjale se gjendja në Shqipëri ishte e rëndë dhe tragjike.

Krejt në fund, mund të thuhet se estetika e filmit “Delegacioni” qëndron te vendosmëria e individit që edhe me jetën e vet, të mos i bëj më shërbim regjimit diktatorial, por të bëhet paralajmërues i ndryshimeve që duhej të vinin edhe në Shqipëri, sikurse në tërë kontinentin e Europës.

 

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN