MENU
klinika

Ulet inflacioni në Eurozonë

Nuk pritet rritje e normave të interesit këtë vit

05.01.2019 - 12:20

Inflacioni në Eurozonë ra në nivelin më të ulët në 8 muaj gjatë dhjetorit, periudhë kur Banka Qendrore Europiane (BQE) përfundoi programin e stimujve monetarë. Indeksi i çmimeve të konsumit u rrit me një normë vjetore prej 1.6% në Dhjetor, në rënie nga 1.9% që ishte norma e Nëntorit.

Treguesi që heq komponentët e luhatur si karburanti, qëndroi në 1%, sipas Eurostat. Rënia e inflacionit erdhi kryesisht prej çmimeve të naftës, duke mos surprizuar BQE, që e kishte parashikuar këtë gjë. Çmimi i naftës Brent ka rënë me 35% në tremujorin e katërt, rënia më e madhe që prej 2014-s.

Ndërkohë që Banka Qendrore Europiane pohon që programi lehtësues ka shmangur kërcënimin e deflacionit, presionet në çmime janë ende në nivelin e 2015-ës.

Duke shtuar raportimet e ngadalësimit ekonomik, investitorët dyshojnë që BQE do të rrisë normat e interesit këtë vit. Treguesi për aktivitetin e manifakturës dhe shërbimeve ra gjithashtu në nivelin më të ulët në 4 vite gjatë dhjetorit.

Rënia e porosive të reja industriale tregon se nuk do të ketë ndonjë rimëkëmbje të shpejtë të ekonomisë. Kompanitë bënë të ditur se kostot e prodhimit u rritën me normën më të ngadaltë në 15 muaj.  Indeksi i çmimeve të prodhimit ra në 4% gjatë Nëntorit.