Nicola Maduro, udhëheqësi i Venezuelës, të dielën ka hedhur poshtë kërkesat ndërkombëtare për të shpallur zgjedhje të parakohshme.
Kriza politike në vendin e tij thellohet, që nga momenti udhëheqësi i opozitës e shpalli veten president të përkohshëm.
Në një intervistë për CNN-in turk që u transmetua të dielën, Maduro e hodhi poshtë ultimatumin e disa vendeve evropiane për të mbajtur zgjedhje brenda tetë ditësh ose përndryshe do njihnin si president kreun e opozitës, Juan Guaido.
“Duhet ta tërheqin ultimatumin. Askush nuk mund të na japë ultimatum”, tha Maduro në intervistën e dubluar në turqisht nga spanjishtja.
Të shtunën, sekretari amerikan i Shtetit Mike Pompeo i kërkoi bashkësisë ndërkombëtare të mbështeste popullin e Venezuelës dhe të njohë qeverinë e përkohshme të Juan Guaidosë.
Diplomati më i lartë i Shteteve të Bashkuara tha në një takim të Këshillit të Sigurimit të shtunën se gjendja humanitare në Venezuelë duhet të adresohet menjëherë.
“Ne jemi këtu për t’i nxitur të gjitha vendet që të mbështesin aspiratat demokratike të popullit venezuelian, ndërsa ai përpiqet të çlirojnë veten nga shteti i paligjshëm mafioz i Presidentit Maduro. Situata humanitare kërkon veprim tani. Ajo kërkon veprim sot”.
Sekretari Pompeo akuzoi Rusinë dhe Kinën se po përpiqen “të përkrahin Maduro-n, ndërkohë që ai është në ditët e tij të fundit”, por shtoi se asnjë vend nuk ka bërë më shumë për të mbështetur “gjendjen e ankthit të popullit venezuelian” sesa Kuba.
“Kina dhe Rusia po mbështesin një regjim të dështuar me shpresën e rimëkëmbjes së miliarda dollarëve në investime dhe asistencë famëkeqe të bërë gjatë viteve. Për vite me radhë, bandat e sigurimit dhe inteligjencës kubane të ftuara në Venezuelë nga vetë Maduro dhe njerëzit rreth tij kanë mbështetur këtë regjim të paligjshëm”.
Disa qeveri evropiane, përfshirë Britaninë, Spanjën, Gjermaninë dhe Francën, thanë të shtunën se do ta njohin 35-vjeçarin Guaido si president nëse nuk do të zhvillohen zgjedhje të parakohshme brenda tetë ditëve.
Shtetet e Bashkuara kërkuan mbledhjen e Këshillit të Sigurimit. Zoti Pompeo u shoqërua në takim nga i dërguari i posaçëm i sapoemëruar për Venezuelën, Elliott Abrams.