MENU
klinika

Detajet

Pastrimi i parave/ Politikanët në vëzhgim deri 10 vjet pas detyrës

24.01.2019 - 12:44

Të gjithë politikanët dhe drejtuesit e institucioneve të rëndësishme në vend do të jenë në “lupën” e Drejtorisë së Parandalimit të Pastrimit të Parave, bankave dhe doganave edhe 10 vite pasi të largohen apo të lënë detyrën përkatëse.

Këtë e parashikon projektligji i hartuar nga Drejtoria e Përgjithshme e Parandalimit të Pastrimit të Parave dhe që është konsultuar informalisht me bankat e nivelit të dytë, shoqëritë e transfertave, Shoqatën e Bankave, Bankën e Shqipërisë, Autoritetin e Mbikëqyrjes Financiare dhe Drejtorinë e Përgjithshme të Doganave.

Nisma në fjalë vjen në kuadër të rekomandimeve që bën raporti i Moneyval për Shqipërinë, lidhur me masat ndaj parandalimit të pastrimit të parave, ndërsa tenton të forcojë edhe më tej masat kundër subjekteve që mund të kërkojnë të përdorin mekanizma të ndryshëm për pastrimin e parave të vëna apo të krijuar në mënyrë të paligjshme nëpër-mjet veprimtarive kriminale apo edhe korrupsionit gjatë ushtrimit të një detyre shtetërore.

Me ligjin aktual “Personat e ekspozuar politikisht” janë personat, të cilët janë të detyruar të bëjnë deklarimin e pasurive të tyre, në përputhje me ligjin nr. 9049, datë 10.4.2003 “Për deklarimin dhe kontrollin e pasurive, të detyrimeve financiare të të zgjedhurve dhe të disa nëpunësve publikë”, me përjashtim të nëpunësve të nivelit të mesëm apo të ulët drejtues, sipas përcaktimeve të legjislacionit për shërbimin civil.

Në këtë kategori përfshihen edhe individët, të cilët kanë pasur ose kanë funksione të rëndësishme në një qeveri dhe/ose në një shtet të huaj, si: kryetar shteti dhe/ose qeverie, politikanë të lartë, zyrtarë të lartë të qeverisë, të gjykatave ose të ushtrisë, drejtues të lartë të kompanive shtetërore, zyrtarë të rëndësishëm të partive politike”.

Sipas projektligjit të paraqitur përcaktohet se “kjo kategori individësh konsiderohen “persona të ekspozuar politikisht” deri në 10 vite pas largimit nga funksioni. Madje projektligji parashikon që sipas gjykimit të vetë subjektit, ky afat mund të shtrihet edhe përtej 10 vjetësh.

parlament-konica.al
parlament-konica.al

Nëpërmjet këtij projektligji ndryshon edhe procedura e kontrollit dhe nivelet e shumave që janë të detyrueshme për t’u deklaruar në kufi. Kështu sipas projektligji “Çdo person, i cili hyn/largohet në/nga territori i Republikës së Shqipërisë është i detyruar të deklarojë shumat në të holla, çdo lloj instrumenti të negociueshëm të mbajtësit, metalet ose gurët e çmuar, sendet me vlerë dhe objektet antike, duke filluar nga shuma 10 000 (dhjetë mijë) euro ose kundërvlera e saj në monedha të tjera, qëllimin e mbartjes së tyre si dhe dokumente justifikuese përkatëse.

Kanë detyrim për deklarim edhe përfaqësuesit e personave që hynë/largohen me mjete sipas pikës 1, kur këto transportohen nëpërmjet shërbimit të kontejnerëve apo postar”, – thuhet në projektligj. Për të gjithë ata që shkelin këto dispozita nisma ligjore ka parashikuar edhe penalitete me gjoba që shkojnë deri në 40 për qind të shumës së padeklaruar. Persona që do jenë nën vëzhgimin e rreptë të institucioneve bankare, doganore dhe vetë Drejtorisë së Parandalimit të Pastrimit të Parave do jenë edhe ata që kanë bërë një policë sigurimi jete.

Gjobat për ata që bëjnë deklarim të rremë

a) Për shumat nga 10,000-19.999 euro ose kundërvlera e saj në monedha të tjera, gjoba është në vlerën 5% për herën e parë, 10% për herën e dytë si dhe 30% për rastet e tjera;
b) Për shumat nga 20,000-49.999 euro ose kundërvlera e saj në monedha të tjera, gjoba është në vlerën 10% për herën e parë, 20% për herën e dytë si dhe 40% për rastet e tjera;
c) Për shumat mbi 50.000 euro ose kundërvlera e saj në monedha të tjera, gjoba është në vlerën 15% për herën e parë, 30% për herën e dytë si dhe 50% për rastet e tjera” thuhet në projektligj./gsh.al