Krahina e Himarës, që në lashtësi dokumentohet të jetë banuar nga fise ilire përkatsisht ai i Kaonëve.
Më vonë pozicioni gjeografik i Krahinës dhe faktorë të tjerë parësorë, e kanë bërë atë të bëhet stacioni i parë i ndalesës dhe i përqendrimit të të gjithë arbërve që zgjidhnin mërgimin. Himarjotët janë të dëgjuar si detarë, që përshkonin jo vetëm Jonin dhe Adriatikun, por dhe gjithë Mesdheun dhe Detin Egje.
Lundrat e tyre konkurronin Republikën e Shën Markut, që ishte Zot i Mesdheut, prandaj dhe Venediku i vu për detyrë vetes, që ta vinte nën sundim dhe kontroll Himarën.
Prej këtu, të ardhurit vazhdonin udhën e mërgimit, disa në Itali e disa në Greqi, ca më këmbë e ca me det, të ngulur pothuaj në tërë Greqinë e deri dhe në ishujt e Egjeut.
Nuk ishin të paktë dhe ata që zgjodhën të qëndronin këtu. Venomet u siguronin atyre kushte për të vazhduar jetën pa peripeci të tjera drejt së panjohurës. Bile, jo pak herë, ndodh dhe shpërbërje të trungut të familjes e të fisi. Një pjesë mbetën këtu, aq sa mbante vendi e të tjerët vijonin udhën e nisur drejt jugut ose të detit.
Emrat e njëjtë të shumë familjeve arvanite të Greqisë dhe arbëreshë të Italisë, me fise e familje, që sot gjejmë në Himarë, në Labëri dhe në tërë Shqipërinë, vetëm kështu mund të shpjegohen.
‘Zoto’, është edhe një nga patronimet i cili ilustron më së miri këtë fakt. Një nga familjet më vjetra në krahinë, mbiemri i së cilës gjendet ditët e sotme, si shumë mbiemra të vjetër himarjotë në tabelat e dyqaneve ose shtëpive greke.
Familja Zoto është me origjinë nga Korça, dhe në Himarë mësohet të jetë vendosur rreth viteve 1740-1750.
Më poshtë gjeni dhe pemën gjenealogjike të familjes Zoto.