Rregullat dhe ligjet janë për të gjithë njësoj, pavarëisht moshës. Çiklisti amerikan 90-vjeçar Carl Grove e ka pranuar paralajmërim publik për shkeljen e rregullave për përdorimin e dopingut, pasi e kishte thyer rekordin botëror në Kampionatin Kombëtar ‘Masters Track’ vitin e kaluar.
Grove është zhveshur nga titulli i kampionit që e kishte fituar në korrik të vitit të kaluar, pasi që testet kundër dopingut, saktësisht metabolite epitrenbolone, i dolën pozitive.
Agjencia e SHBA-së kundër Dopingut (USADA) ka thënë se veterani në çiklizëm ka më së shumti gjasa të mos i ketë kaluar testet e dopingut për shkak se kishte ngrënë mish të kontaminuar para se të zhvillohej gara.
“USADA deklaroi se Carl Grove, nga Bristol, një atlet në sportin e çiklizmit, e ka marrë një paralajmërim publik për shkeljen e rregullave kundër dopingut. Testi ishte bërë më 11 korrik, pasi atleti e kishte thyer rekordin botëror”, – shkruan në deklaratën e lëshuar nga USADA.
“Grove ka ofruar dëshmi për USADA-n se rezultatet e testit dolën pozitive për shkak se ai kishte ngrënë mish të kontaminuar para garës. Rezultat e testit kundër dopingut para se ai u ushqye kishin dalë negative” – thuhet në deklaratë.