Prishtina në basketboll për meshkuj nuk do të jetë pjesë e Ligës Ballkanike këtë edicion edhe pse ishte regjistruar për të marrë pjesë në këtë ligë. Lajmin e ka bërë të ditur sot Liga Ballkanike përmes uebfaqes zyrtare.
“Më 1 janar, Prishtina na ka dërguar një e-mail në drejtim të menaxhmentit të BIBL, duke njoftuar se nuk mund të arrijë marrëveshje me Federatën e Basketbollit të Kosovës rreth programit dhe orarit të ndeshjeve në ligën lokale, por edhe në FIBA Europe Cup e BIBL, prandaj detyrohen të tërhiqen nga BIBL”, – njofton Liga Ballkanike.
Padyshim, vendimi i klubit më të madh kosovar i ka befasuar drejtuesit e kësaj lige dhe tani duhet ndërruar sistemi i garave dhe kalendari i tyre.
Liga Ballkanike njofton po ashtu se nuk do ta detyrojë asnjë ekip të marrë pjesë në konflikt me rregullat, prandaj e respekton vendimin e klubit kosovar.
“Është vendim i Prishtinës që të tërhiqet nga BIBL dhe ne e pranojmë kërkesën e tyre”, – përfundon Liga Ballkanike, e cila i uron suksese Prishtinës në kampionatin vendës dhe në kompeticionet e FIBA-s.