Për të ulur fluksin e qytetarëve të cilët aplikojnë për letërnjoftime elektronike, Ministria e Brendshme ka vendosur zgjatjen e afatit të vlefshmërisë për të gjitha kartat që skadojnë në 2019.
Afati i tyre do të zgjatet deri më 31 dhjetor 2019.
Ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj dhe Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj ishin sot në zyrat e reja në Rrugën “Bardhyl”, të cilat u vijnë në ndihmë 120 mijë banorëve të Njësive 3 dhe 4.
Ata dhanë lajmin e mirë të zgjatjes së vlefshmërisë së letërnjoftimeve elektronike që skadonin këtë vit deri më 31 dhjetor 2019 dhe të ofrimit të shërbimeve për aplikimet e reja edhe në fundjavë.
Ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj siguroi qytetarët se me kapacitetet e shtuara nuk do të kenë asnjë pengesë në marrjen në kohë të shërbimit të kërkuar.
“Është rezultat i një pune intensive që është bërë ditët e fundit, për të rritur kapacitetet e prodhimit për kartat e identitetit edhe në prag të zgjedhjeve, por edhe për të përballuar fluksin e madh i cili lidhet me skadimin e një numri shumë të madh kartash, të cilat janë prodhuar pothuajse në të njëjtën kohë në vitin 2009.
Bashkia e Tiranës dhe Ministria e Brendshme kanë ndërmarrë masa për të zgjeruar kapacitetet dhe për të përmirësuar kushtet e aplikimit”, nënvizoi Lleshaj.
Ministri tha se modeli i suksesshëm që po aplikohet në Tiranë do të shtrihet edhe në qytetet e tjera të vendit, ku do të hapen zyrat e reja të aplikimit.
“Kemi ardhur këtu edhe për të dhënë një mesazh, për të dhënë edhe një model se si duhet të shndërrohen zyrat e aplikimit në gjithë vendin, të cilat duhet të marrin këtë trajtë ose edhe më mirë. Po e fillojmë nga Tirana me shpresën se Tirana do të përbëjë modelin e duhur për t’u ndjekur nga qytetarët.
Përveçse shtimit të kapaciteteve dhe përmirësimit të kushteve, qeveria shqiptare do të ndërmarrë masa edhe për të zgjatur vlefshmërinë e kartave të identitetit që skadojnë në vitin 2019. Pra, dua të krijojmë një mundësi që asnjë qytetar shqiptar të mos ngelet qoftë edhe për një arsye të vetme pa realizuar të drejtën e votimit për shkak të kartës”, tha Lleshaj.
Veliaj u shpreh se vendimi për shtyrjen e afatit të skadencës për kartat e identitetit është një lajm i shkëlqyer.
“Do të kemi amendime ligjore, që pavarësisht nga data kur skadon karta në vitin 2019, skadimi final do të jetë 31 dhjetori i 2019-ës. Do të thotë se për të gjithë ata që nuk e kanë me ngut, të cilëve karta u duhet për një a dy herë, si rasti i votimeve apo një dokument tjetër brenda vendit, vlefshmëria do të zgajtet deri në datën 31 dhjetor 2019. Ky është një lajm i shkëlqyer për të ulur pak këtë presion dhe për ta shfrytëzuar gjithë vitin”, nënvizoi Veliaj.
“T’i japim prioritet të moshuarve dhe atyre që mund ta kenë shumë të nevojshme pasjen e kartës së identitetit për udhëtime jashtë vendit ose për dokumente të tjera. Përsa i përket nevojave brenda Shqipërisë, vlefshmëria e kartës, pavarësisht datës do të jetë deri në 31 dhjetor 2019.
Kështu që, qoftë për votimet, apo edhe për nevoja të tjera, pensionet, apo çështje që kanë të bëjnë me autoritetet vendore apo qendrore të Shqipërisë, vlefshmëria është deri në 31 dhjetor”, tha Veliaj.