MENU
klinika

63 mld lekë tepricë likuiditeti

Qeveria, një lumë parash të mbajtura “kot”

02.01.2019 - 17:15

Qeveria shqiptare në dhjetë muaj të këtij viti ka krijuar një tepricë likuiditeti për mbi 500 milionë euro. Sipas Bankës së Shqipërisë, vlerat pozitive të balancës fiskale nga njëra anë, si edhe zgjerimi i huamarrjes së qeverisë në tregun e huaj nga ana tjetër, sollën një rritje të tepricës së likuiditetit të qeverisë me rreth 33.3 miliardë lekë, vetëm për muajin tetor të këtij viti.

Kjo erdhi sidomos për shkak të eurobondit të siguruar në tregjet ndërkombëtare, në fillim të muajit tetor. Banka e Shqipërisë vlerëson se teprica e likuiditetit të qeverisë krijuar gjatë 10 muajve të këtij viti është rreth 63.1 miliardë lekë.

Një gjendje kaq e lartë likuiditeti në buxhet është disi anormale, madje krijon problematika dhe kosto të konsiderueshme. Kontrolli i Lartë i Shtetit konstatoi vitin e kaluar se humbja nga rivlerësimi i tepricave të likuiditeteve në valutë, si pasojë e luhatjes së kursit të këmbimit, rezultoi në vlerën 2.85 miliardë lekë.

“Në kushtet e tepricave të larta të likuiditetit konstatohet se nuk merren masa për investimin e tyre në instrumente afatshkurtër për të reduktuar koston që rezulton nga interesat për sigurimin e likuiditetit”, vëren KLSH.

Një nga problemet kryesore të menaxhimit buxhetor, të nënvizuara shpesh, është një mosshpërndarje uniforme e shpenzimeve buxhetore gjatë vitit. Sidomos në pjesën e parë të vitit, shpenzimet janë të ulëta, çka sjell, mes të tjerash, edhe gjendje të lartë likuiditeti në buxhet.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN