MENU
klinika

Të tretët në rajon

Qeverisja elektronike, jemi në vendin e 74 në Botë

21.01.2019 - 16:21

Shqipëria renditet në vendin e 74-të në Botë për zhvillimin e qeverisjes elektronike. Organizata e Kombeve të Bashkuara ka publikuar një raport të zgjeruar për qeverisjen elektronike, pra shërbimet publike të qytetarëve të cilat mundësohen elektronikisht, duke shmangur radhët e gjata dhe humbje kohe të pakuptimta. Raporti përfshin edhe një indeks, ku analizon 192 vendet anëtare të OKB-së.

Shqipëria renditet në vendin e 74-të në botë, ndër këto 192 vende,duke u klasifikuar në vendet me një nivel të lartë. Ndërkohë që në rajon, Serbia dhe Mali i Zi kanë një renditje më të mirë se ne. Maqedonia dhe Bosnje Hercegovina ndërkohë kanë një renditje më të keqe.

Por, për nënindikatorin që i referohen shërbimit online, Shqipëria është në vend të parë në rajon, me pikë të barabarta me Serbinë, gjithashtu në vend të parë. Tashmë, përmes platformës e-Albania, qeveria shqiptare ofron një numër të konsiderueshëm shërbimesh online, të lidhura me shëndetin, arsimin, mbrojtjen sociale apo transportin dhe biznesin. Vendet e tjera të rajonit, ndërkohë, kanë një performancë ndjeshëm më të dobët në këtë drejtim.

Shqipëria dështon kështu në komponentin që i referohet infrastrukturës së telekomunikacionit. Sa i përket një tjetër indikatori ndërkohë, atij të pjesëmarrjes në këto shërbime, Shqipëria renditet e 59-ta në botë, e lënë pas në rajon vetëm nga Serbia.