Rritja e eksportit të naftës ka shtuar të ardhurat në arkën e shtetit për vitin 2018/ Sipas Ministrisë së Financave, të ardhurat nga renta minerare në eksport janë realizuar në vlerën 2.5 miliardë lekë, me rritje 17.5% ose 370 milionë lekë më shumë krahasuar me 11-mujorin e vitit 2017.
Krahasuar me vitin e kaluar të ardhurat nga renta minerare për naftën bruto janë rritur si rezultat i rritjes së sasisë së eksportuar dhe si rezultat i rritjes së çmimit të naftës bruto në tregjet ndërkombëtare.
Të ardhurat nga renta minerare për naftën bruto janë rritur me 298 milionë lekë, si rezultat i rritjes së sasisë së eksportuar me rreth 103 mijë ton. Gjithashtu, ato janë rritur me 395 milionë lekë si rezultat i rritjes së çmimit të naftës bruto në tregjet ndërkombëtare krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, duke sjellë rritje të rentës për njësi nga 2.89 lekë/kg në 3.62 lekë/kg.
Ndërsa nafta ka dhënë kontribut pozitiv, e kundërta ka ndodhur me mineralet e tjera dhe kryesisht me kromin. Të ardhurat nga mineralet e eksportuara kanë pësuar rënie në masën 74 milionë lekë për shkak të rënies së sasisë së eksportuar, me rreth 189 mijë ton si dhe janë ulur me 253 milionë lekë, për shkak të rënies së çmimit të mineraleve në tregjet ndërkombëtare, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.