MENU
klinika

Shtysë për rritje të çmimeve

Rriten kostot e punës në ekonomi

02.01.2019 - 18:19

Treguesi i kostove të punës për njësi në ekonominë shqiptare u rrit edhe në tremujorin e tretë të këtij viti. Sipas Bankës së Shqipërisë, kostot e punës për njësi u rritën me 1.3% në terma vjetorë, pas rritjes me 1.9% në tremujorin e mëparshëm.

Rritja e kostove të punës për njësi vazhdon t’i atribuohet kryesisht tendencës rritëse të treguesit përafrues të pagës mesatare reale. Rritja e kostove të punës është një ndër faktorët përcaktues në rritjen e inflacionit në të ardhmen.

Sipas të dhënave për pagën mesatare mujore për një të punësuar me pagë në vend, për tremujorin e tretë të këtij viti, ky tregues shënoi një rritje vjetore të ngjashme me tremujorin e mëparshëm (rreth 2.4%, nga 2.5% një tremujor më parë).

Pas deflatimit me inflacionin, rritja e pagës mesatare mujore për një të punësuar me pagë në ekonomi vlerësohet rreth 0.2%, nga 0.3% një tremujor më parë.

Të dhënat e kostove të tjera prodhuese dëshmojnë për rritje me ritme lehtësisht më të larta në tremujorin e tretë. Më konkretisht, çmimet e prodhimit industrial shënuan rritje vjetore me 2.8%, pas rritjes me 2.4% një tremujor më parë.

Kjo ecuri pasqyroi kryesisht dinamikën më të shpejtë rritëse të çmimeve të eksportit, krahasuar me rritjen e çmimeve të prodhimit industrial për produktet në tregun vendas.