MENU
klinika

Nga taksa e ambalazhit

Rriten kostot e termoizolimit

14.01.2019 - 09:10

Qeveria shqiptare, jo vetëm që nuk subvencionon investimin për termoizolimin në ndërtesa, sikur përcakton legjislacioni në fuqi, por po imponon rritjen e çmimeve për këtë shërbim, pasi ka vendosur taksimin e lëndës së parë për prodhimin e polisterolit, që është materiali që përdoret në këtë rast.

Sipas prodhuesve shqiptarë të materialeve termoizoluese penalizimi vjen nga paketa fiskale e vitit 2019 e më konkretisht ligji “Për taksat kombëtare”.

Prodhuesit shprehen se rritja e taksës për ambalazhet do të rrisë çmimet e termoizolimit me mbi 15%, duke i dhënë një goditje të rëndë investimeve që stimulojnë kursimin e energjisë në ndërtesa.

Lënda e parë për prodhimin e polisterolit listohet te materialet e ambalazhit që kanë ndikim negativ në mjedis, por në fakt materialet e termoizolimit në ndërtesa reduktojnë deri në 50%, jo vetëm konsumin e energjisë, por edhe emetimin e dioksidit të karbonit në mjedis.

Ndërkaq, vendosja e kësja takse rrezikon edhe më tepër arritjen e objektivit për  të reduktimin e konsumit të energjisë me 6.8% deri në vitin 2020. Në këto kushte prodhuesit kanë kërkuar rishikimin e ligjit, që do të sillte hapa negativë edhe në drejtim të eksporteve, pasi asnjë vend nuk aplikon taksa për materialet termoizoluese, çka e vendos Shqipërinë në kushte diskriminuese në raport me vendet e tjerë.