Teksa Greqia rriste përpjekjet e saj për të finalizuar marrëveshjen me Maqedoninë, nga ana tjetër nuk mungonte dhe një frymë ndërhyrjeje në punët e brendshme të dy vendeve, si një lloj përpjekje për të penguar këto negociata.
Një tjetër arsye u shndërrua edhe rritja e bashkëpunimit me Turqinë nga ana ushtarake, dhe në këtë mënyrë tensionet midis Athinës dhe kryeqytetit rus u rritën e mesa duket po arrijnë në kulmin e tyre.
Ndërkohë që pret përballjen me një mocion mosbesimi, kryeministri grek Alexis Tsipras ka paralajmëruar homologun e tij rus, Vladimir Putin mos të ndërhyjë në punët e brendshme të Greqisë.
Ky reagim i ashpër erdhi pasi Ministria e jashtme ruse publikoi të martën një deklaratë ku shprehte shqetësim rreth “paqëndrueshmërisë” në Greqi pas ndryshimit të kushtetutës në Maqedoni. Greqia u përgjigj me një paralajmërim të ashpër duke i kërkuar Rusisë që të mos ndërhyjë në punët e saj të brendshme.
Rusia ka kundërshtuar vazhdimisht zgjidhjen e mosmarrëveshjes së emrit mes Shkupit dhe Athinës, i cili pritet të hapë dyert për anëtarësimin e Maqedonisë në NATO.
Më 11 janar, Maqedonia përfundoi procesin e ndryshmit të kushtetues, duke e kaluar “topi” në fushën e Athinës. Pas dorëheqjes së Ministrit grek të Mbrojtjes Pannos Kammenos Kryeministri grek Alexis Tsipras menjëherë thirri një votëbesim, të cilin ka gjasa të fitojë.
Ndërkohë, ministria e jashtme ruse lëshoi një deklaratë, duke e quajtur votimin në parlamentin maqedonas si “një vazhdim të procesit të ndryshimit artificial të emrit. Sipas saj fuqitë e huaja po e detyrojnë Shkupit të hyjë në NATO”.
“Kjo bie në kundërshtim me ligjin maqedonas. Pozita e Presidentit të Republikës së Maqedonisë dhe opinioni i shumicës së popullsisë së saj që e hedhin poshtë marrëveshjen e Prespës “janë injoruar”, deklaroi Moska. “Protestat e vazhdueshme në Shkup dhe qytete të tjera maqedonase tregojnë polarizim të thellë të shoqërisë maqedonase. Është e qartë se një mënyrë e tillë e zgjidhjes së çështjeve me rëndësi kombëtare për të ardhmen e një vendi nuk është një reflektim i vullnetit të popullit të saj dhe nuk mund të shërbejë si një mjet për zgjidhjen afatgjatë të problemit të emrit të Maqedonisë”, theksonte deklarata duke thumbuar më pas Greqinë.
“Ngjarjet e fundit në Greqi dëshmojnë gjithashtu se situata po del nga duart dhe se kjo marrëveshje po minon stabilitetit dhe sigurinë në Ballkan. Tërheqja nga koalicioni qeveritar i P. Kammenos, kreu i Grekëve të Pavarur, i cili kundërshton Marrëveshjen e Prespës , çoi në nisjen e një votëbesimi. Vlen të përmendet se në Athinë po votohet për marrëveshjen e Prespës, duke anashkaluar opinionet e qytetarëve të vendit, dhe nuk flitet për një referendum mbi këtë çështje që ndikon në interesat themelore kombëtare”.
Edhe pse mund të duket e çuditshme që Rusia i jep Greqisë mësime demokracie, Moska nuk ndalet me kaq, por sugjeron një zgjidhje të re për Athinën dhe Shkupin.
“Pozita e Federatës Ruse për problemin e emrit të shtetit maqedonas mbetet e pandryshuar: një zgjidhje e qëndrueshme duhet të gjendet pa presin të jashtëm, pa vendosjen e kushteve nga jashtë dhe me mbështetjen e gjerë të publikut në Republikën e Maqedonisë dhe në Greqi. Ne supozojmë që kjo çështje duhet të shqyrtohet nga Këshilli i Sigurimit i OKB-së në përputhje me paragrafin 3 të rezolutës 845 të OKB-së”, sugjeronte Kremlini zyrtar.
Ministria e Jashtme greke, e drejtuar tanimë nga kryeministri Alexis Tsipras reagoi në orët e vona me anë të një deklarate të ashpër.
Tsipras e quante marrëveshjen e Prespës “një pakt të pranuar ndërkombëtarisht dhe i bëri thirrje në mënyrë të tërthortë presidentit rus të “shikonte punët e tija”.
“Partnerët tanë ndërkombëtarë janë të lutur të respektojnë frymën e marrëveshjes dhe të përqafojnë faktin se udhëheqësit në të dyja vendet kanë shfaqur guximin e nevojshëm politik në mënyrë që të arrijnë një zgjidhje për një çështje veçanërisht delikate,”, deklaronte ministria e jashtme greke. “Deklarata nga Ministria e Punëve të Jashtme ruse nuk është në përputhje me nivelin e marrëdhënieve midis Greqisë dhe Rusisë dhe lidhjeve të gjata të miqësisë midis popujve tanë. Në të njëjtën kohë, ajo nxit shqetësime të arsyeshme pasi mbikëqyr funksionimin e koordinuar dhe efektiv demokratik të institucioneve në Greqi, Kushtetuta e të cilës përmban dispozita të qarta për çdo ngërc në rendin e brendshëm politik, i cili sigurisht nuk përbën një fushë të favorshme për komente mbi pjesë e palëve të treta. Shpresojmë që në të ardhmen Rusia të përmbahen nga deklarata të tilla, të cilat përbëjnë një ndërhyrje në punët e brendshme të Greqisë”.
• Tension i ri Athinë – Moskë
Alexis Tsipras
Së fundmi, Athina shpreh shpresën se Rusia, e cila për vite me radhë e ka njohur Republikën ish-Jugosllave, si “Republika e Maqedonisë”, do t’i referohet vendit me emrin e ri kushtetues, domethënë “Maqedonia e Veriut.
Marrëdhëniet midis Greqisë dhe Rusisë, që duket se kanë arritur në pikën më të ulët, edhe pse kanë qenë tradicionalisht të ngrohta. Edhe pse anëtare e NATO-s Greqia ka qëndruar në anën e Moskës gjatë bombardimeve të Perëndimit kundër Serbisë në vitin 1999. Por kohët e fundit marrëdhëniet midis dy vendeve ortodokse janë përkeqësuar. Paralelisht, Rusia ka përmirësuar ndjeshëm marrëdhëniet me Turqinë, e armiqtë e përhershëm të Greqisë.
Ndërkohë, Tsipras ka përmirësuar marrëdhëniet me SHBA-në. Një zyrtar i lartë i qeverisë amerikane deklaroi të hënën se Uashingtoni e konsideron Marrëveshjen e Prespës si një provë se “investimi” që ajo bëri në marrëdhëniet e saj me Greqinë, i ka “vlejtur”. Zyrtari i paidentifikuar deklaroi për mediat greke se zbatimi i plotë i Marrëveshjes së Prespës jo vetëm që do të sillte përfitime të mëdha për Greqinë, e cila do të shihej si një shtyllë stabiliteti në rajon, por gjithashtu do të krijonte një vrull për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve me Shqipërinë, Kosovën dhe Serbinë.
Përplasja mes dy vendeve filloi në gusht, kur Greqia akuzoi Rusinë se kishte korruptuar disa zyrtarë për të bllokuar dhe protestuar kundër marrveshjes së Prespës.
As për Athinën dhe as për partnerët e saj nuk ishte surprizë vendimi i Moskës për dëbimin e dy diplomatëve grekë dhe ndalimit të hyrjes në Rusi të dy të tjerëve. Kremlini u përgjigj më të njëjtën monedhë, ashtu siç kishte bërë Athina duke dëbuar diplomatët grekë.Hakmarrja ruse,thuajse e paprecedent e një lloji të tillë mes dy shteteve që ruajnë lidhje miqësie shekullore, ju komunikua ambasadorit grek në Moskë, Andreas Friganas. Përveç dy diplomatëve të ambasadës ju ndalua hyrja në Rusi kreut të zyrës politike të ministrit të Jashtëm grek Nikos Kotzias, Georgios Sakelariou.
• Ja si ra SHBA në gjurmët e spiunazhit rus në Ballkan
Presidenti Erdogan dhe Vladimir Putin
Roli i Turqisë
Balancat e reja të pushtetit në rajonin janë një faktor tjetër kontribues për përshkallëzimin e tensioneve midis Moskës dhe Athinës.
Përmirësimi i marrëdhënieve mes Turqisë dhe Rusisë dhe veprimet e tyre të përbashkëta në luftën siriane kanë bërë shumë zyrtarë në Athinë të “ngrenë vetullat”. Turqia tradicionalisht ka qenë armikja e Greqisë dhe vetëm anëtarësimi në NATO i ka penguar dy vendet e Mesdheut të përplasen në një konflikt ushtarak.e.
“Bashkëpunimi i ngushtë në luftën siriane midis Rusisë dhe Turqisë ka rritur dyshimet tona”, thanë zyrtarët grekë, duke shtuar se një çështje tjetër shqetësuese për Athinën janë planet e Turqisë për të blerë sistemin rus të mbrojtjes raketore S-400, si pjesë e përpjekjeje për të rritur aftësitë ushtarake.
Ish-Ministri grek i Punëve të Jashtme Nikos Kotzias deklaroi kohët e fundit se Turqia nuk është treguar neutrale ndaj marrëveshjes Athinë-Shkup dhe se së bashku me Rusinë ishin kundër kësaj marrëveshjeje.
Edhe pse është vendi i dytë që kontribuon më shumë në NATO, ka më shumë se 1500 tanke në arsenalin e saj ushtarak dhe është shtëpia e disa bazave të NATO-s, Greqia vazhdon të ndihet e rrezikuar nga përplasjet me Turqinë. Megjithatë vendi fqinj mund të bëhet në të ardhmen fuqia më e madhe ushtarake të Mesdheut, falë bashkëpunimit ushtarak me SHBA-në.
Ushtria e amerikane ka nisur zyrtarisht bisedimet për të zgjeruar operacionet e saj në Greqi, duke përfshirë ndër të tjera edhe përdorimin e të tjera bazave ajrore dhe detare në vendin fqinj.
Për Greqinë, vendosja e ushtrisë amerikane do të ishte një “biletë sigurie” përballë kërcënimit nga Libia dhe Turqia, por është kthyer edhe në një precedent përplasjesh me Moskën.