MENU
klinika

Nënshkruhet marrëveshja

Shërbimet e e-Albania edhe nga Posta Shqiptare

25.01.2019 - 13:05

33 shërbime që merren në portalin e-Albania, tashmë mund të merren nga qytetarët e bizneset edhe pranë sporteleve të Postës Shqiptare. Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit dhe Posta Shqiptare kanë nënshkruar një marrëveshje, sipas të cilës do të jenë 10 dokumente për biznesin dhe 23 për individët, të cilat do të mund të gjenerohen edhe nga punonjësit e postës.

Drejtuesit e Postës Shqiptare synojnë që sportelet e shoqërisë të kthehen në një One Stop Shop, ku qytetarët dhe bizneset të marrin të gjitha shërbimet në një ndalesë të vetme.

Tarifat me të cilat mund të përfitohen shërbimet e e-Albania për qytetarët do të jenë 50 lekë, ndërsa për bizneset 100 lekë. Marrëveshja e nënshkruar do të nisë zbatimin e saj në çdo sportel, duke filluar nga dita e hënë.

Marrja e shërbimeve elektronike përmes portalit e-Albania është në rritje të vazhdueshme. Vetëm gjatë muajit dhjetor 2018, qytetarët shqiptarë morën mbi 430 mijë shërbime online. Gjatë këtij muaji, përmes portalit u gjeneruan 103 mijë certifikata familjare, 57 mijë vertetime për pagesën e kontributeve për individët, 35 mijë karta shëndeti, 27 mijë certifikata personale, etj.