MENU
klinika

KE paralajmëron vendet anëtare

“Shitja” e pasaportave po infiltron krimin e organizuar

23.01.2019 - 14:27

Komisioni Europian paralajmëron se programet e disa shteteve europiane për të shitur pasaportat dhe vizat ndaj personave të pasur, mund të mbështesin grupet e krimit të organizuar që të infiltrohen në bllok dhe rrisin rrezikun e pastrimit të parasë, korrupsionit dhe shmangies tatimore.

Paralajmërimi është pjesë e raportit të parë të komisionit për industrinë miliarda dollarëshe të “investimit në emigracion”, që i ofron individëve të pasur të blejnë nënshtetësi apo leje qëndrimi në vende që i shesin këto. Pavarësisht përputhjes ligjore, këto skema zhvillohen shpesh herë në mënyrë jo-transparente dhe pa kontrolle të mjaftueshme të personave që kërkojnë të blejnë pasaportat dhe vizat.

Krahu ekzekutiv i BE-së paralajmëroi gjithashtu për rreziqet në nivel europian, pasi pasaportat dhe lejet e qëndrimit të lëshuara nga një vend i bllokut, jep akses për të gjithë vendet anëtare.

“Kjo shkakton rreziqe të sigurisë si pastrimi i parasë, financimi i terrorizmit, korrupsion dhe infiltrim i krimit të organizuar”, theksoi Komisioni në raport.

Në Bashkimin Europian, Malta, Qipro dhe Bullgaria janë të vetmet vende që shesin “pasaportat e arta” kundrejt investimeve që variojnë nga 1 milionë deri në 2 milionë euro.

Njëzetë shtete të BE-së, përfshirë të sipërpërmendurat, shesin leje qëndrimi apo “viza të arta” ndaj të huajve, që janë të gatshëm të investojnë nga 15 mijë euro në Kroaci e deri në 5 milionë euro në Luksemburg dhe Sllovaki.

Komisioni nuk ofroi të dhëna për të ardhurat që bëjnë këto shtete nëpërmjet skemave. Por, një raport nga Transparency International, theksoi se shtetet e BE kanë gjeneruar rreth 25 miliardë euro në investime të huaja direkte në një dekadë, nga shitja e të paktën 6,000 pasaportave dhe 100,000 lejeve të qëndrimit. Komisioni theksoi dobësinë e programeve që drejtohen nga Malta, Qipro dhe Bullgaria, që nuk bëjnë kontroll të mjaftueshëm të origjinës së individëve të pasur.

Ata kanë anashkaluar gjithashtu rregullat e BE që kërkojnë rezidencë “efektive” në një shtet europian përpara se të jepet nënshtetësia. Brukseli do të caktojë një grup ekspertësh për të krijojnë një kontroll të përbashkët të sigurisë për programet e “pasaportave në shitje”.