MENU
klinika

Investim 8 milionë euro

Shpallet fituesi për aeroportin e Kukësit

11.01.2019 - 12:40

Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë ka shpallur fituesin për garën e dhënies me koncesion të Aeroportit të Kukësit. Komisioni ka shpallur fituese të vetmen ofertë të paraqitur në garë, nga bashkimi i Përkohshëm i Shoqërive “Global Technical Mechanichs” sh.p.k. dhe “Bami” sh.p.k. me vlerë investimi rreth 8 milionë euro (pa TVSH).

Ky bashkim operatorësh ekonomik në bashkëpunim me kompaninë hollandeze NACO me eksperiencë në fushën e menaxhimit dhe administrimit të aeroporteve do të kryejë investimin në vlerën e lartpërmendur me synim rikonstruksionin, operimin dhe transferimin e aeroportit të Kukësit tek shteti pas periudhës 35 vjeçare të koncesionit.

Investimi parashikon rehabilitimin dhe operimin e Aeroportit të Kukësit, duke bërë zgjerimin e pistës së aeroportit, zgjerimin e terminalit të pasagjerëve, zgjerimin e zonës së parkingut etj. Aeroporti do të ketë qëllim të funksionojë si aeroport për transportuesit me kosto të ulët duke qenë se për nga infrastruktura, thjeshtësia dhe teknologjia e tij, ai i përshtatet modelit të biznesit të linjave ajrore me kosto të ulët.

Pista për avionët në flotën e linjave ajrore me kosto të ulët, do të zgjerohet deri në një gjatësi prej 2.200 metra, dhe do të ketë kodin me numrin 4. Me rritjen e kodit do të rritet edhe gjerësia e pistës në 45 metra. Me qëllim të zgjerimit  dhe zonave të sigurisë do të bëhet një shtesë prej 66.000 m2 të zonës së aeroportit. Zgjerimi i propozuar i terminalit të udhëtarëve do të jetë nga aktualisht 600 m 2 deri 3.800 m 2 ose me fjalë të tjera do të bëhet zgjerimi i terminalit maksimumi deri në stacionin e zjarrfikës.

Zgjerimi i terminalit të udhëtarëve është zgjerimi i dhomave të pritjes për të siguruar kapacitet të mjaftueshëm për ngjitje paralele në bordin e 3-4 avionëve. Përveç zgjerimit të terminalit, do të bëhet edhe zgjerimi i platformës dhe gjithashtu do të ndërtohet edhe sistemi i dytë i rrugës së manovrimit në pistë që do të lidhë platformën dhe pistën. Për shkak të statusit të aeroportit me kosto të ulët, do të përdoret ngjitja në bord e udhëtarëve duke ecur nga terminali në avion.