MENU
klinika

1400 vdekje të parakohshme në vit

Shqipëria, mes vendeve me ajrin më të ndotur

05.01.2019 - 13:46

Shqipëria është një ndër vendet më të ekspozuara ndaj ndotjes së ajrit në Europë. Më keq se Shqipëria në europë, janë vetëm Kosova, Maqedonia dhe Bosnje Hercegovina. Sipas Agjencisë Europiane të Ambientit, në raportin e fundit për cilësinë e ajrit në Europë, Shqipëria është përtej detyrimit të Bashkimit Europian.

Vendet që e kanë kaluar këtë vijë të kuqe janë të pakta, dhe veç atyre të lartpërmendura, janë edhe Kroacia, Polonia, Serbia dhe Bullgaria. Grimcat Pm2.5 në Shqipëri vlerësohet se shkaktojnë mesatarisht 1400 vdekje të parakohshme në vit.

Një tjetër indikator mjaft i rëndësishëm ndërkohë, ai i dioksidit të azotit që është produkt i drejtpërdrejtë i gazrave që lëshojnë automjtet vlerësohet se shkakton 130 vdekje të parakoshme në vit në vendin tonë.

Edhe indikatori i shtresës së ozonit në tokë, që lidhet ngushtë me emetimin e gazrave të dëmshëm të automjeteve, flet për rreth 70 vdekje të parakohshme në vit.

Pra, të dhënat e Agjencisë Europiane të Ambientit tregojnë se Shqipëria është shumë larg detyrimit të vendeve europiane dhe standardit për normat e ndotjes, duke ndezur sirenat e alarmit.