Menu

Statistika mbi emigrimin

Shqiptarët po ikin, pasojat në ekonomi?

11.01.2019 - 15:28

Shumë shqiptarë zgjedhin të punojnë, angazhohen apo të ndërtojnë jetën e tyre familjare jashtë atdheut. Sipas Instat rreth 2.87 milionë banorë jetojnë jashtë Shqipërisë, pra ato që jetojnë jashtë përbëjnë 40% të atyre që janë brenda. Statistikat më të fundit rezultojnë me luhatje të mëdha gjatë viteve të fundit duke treguar që vendi ynë është në një situatë të paqëndrueshme ekonomike.

 

Në ditët e sotme çdo ditë e më tepër vëmë re një reduktim të emigrantëve për tu kthyer, gjatë vitit 2018 në muaj të ndryshëm shifrat variojnë, ndërkohë që shqiptarët të cilët vendosin të ikin shtohen çdo ditë. Sipas Instat përgjatë vitit 2011-2017 janë larguar  330.000  persona si emigrantë.

Vendet me emigracion më të lartë janë: Italia, Greqia, SHBA, Maqedonia, Anglia, Gjermania, Kanada, Franca e Belgjika.

Shkarkoni Aplikacionin e Konica.al

Italia është destinacioni i parë ku tashmë jetojnë rreth 460 mijë shqiptarë e njëkohësisht remitancat e ardhura nga ta përbëjnë 36.3% të totalit të remitancave që hyjnë në Shqipëri.

Vendi i dytë me një fluks emigrantësh shqiptarë paraqitet Greqia, i cili është edhe vendi me përqindjen më të lartë të remitancave, rreth 44%,  por vitet e fundit si pasojë e krizës së borxheve që pushtuan shtetin Grek, të shumtë kanë qenë shqiptarët që janë kthyer.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës përbejnë “stacionin” e tretë emigrues ku aktualisht jetojnë rreth 90 mijë shtetas të lindur në Shqipëri. Rrugët për të emigruar janë nga më të ndryshmet por ajo çka spikat është se 200 mijë shqiptarë në vit largohen nga vendi përmes lotarisë amerikane. Remitancat e grumbulluara arrijnë në 7.4% në raport me totalin.

Sipas të dhënave statistikore në Maqedoni jetojnë rreth 70 mijë persona, në Angli 30 mijë, në Kanada rreth 20 mijë e në Gjermani 20 mijë shqiptarë.

Sipas Bankës Botërore në 2017 kemi 76 milionë dollarë më shumë remitanca hyrëse në Shqipëri se në vitin 2016 dhe rreth 14 milionë dollarë më shumë remitanca dalëse nga Shqipëria drejt vendeve të tjera.

Sipas instat arsyet pse shqiptarët zgjedhin të jetojnë larg vendit të tyre të lindjes janë nga më të ndryshmet duke filluar nga emigrimi për arsye sociale me 2.3%, për arsye shëndetësore 3.2%, për një bashkim familjar 4.4%, nga mungesa e strehimit 5.5%, për mundësi për të ardhura më të mira 64.7%, nga papunësia 71.8% etj.

Sipas Bankës Shqiptare kemi pasur një rritje të remitancave me 8% ose 12 milionë euro më shumë ku përgjatë 2018 emigrantët tre muajt e parë kanë sjellë 147 milionë euro. Kjo ka sjellë një burim potencialisht të nevojshëm të ardhurash për popullsinë  vendase dhe një ”rezervë” ekonomike në rastin e një krize në vend.

Sipas të dhënave të Eurostat, gjatë viteve 2015-2017 kanë kërkuar azil në vendet e Bashkimit Europian 132 mijë shqiptarë, por nga ana tjetër, mijëra të tjerë janë laruar nga vendi. Tjetër problem është ikja e moshave të reja, që do të sjellin probleme më vonë në forcën e punës, uljen e produktivitetit dhe skemën e pensionit. Rrjedhimisht vendi do të degradojë në një krizë ekonomike.

Sipas Instat në shtatë vitet e fundit, njerëzit që kanë ikur janë të barabartë, ose më shumë sesa numri i banorëve që ka qarku i dytë më i madh i vendit, Fieri, me 302 mijë banorë. Më pas renditet qarku i Durrësi me 285 mijë. Sipas stistikave më të fundit tendenca në vendin tonë e vendasve është për të emigruar.Sipas anketimit që ka bërë Barometri i Ballkanit, 50% e të anketuarve më 2017 janë përgjigjur se po planifikojnë të largohen nga vendi. Kjo tendencë po vjen në rritje, pasi më 2016 kishin pohuar se po merrnin në konsideratë të largoheshin nga vendi 48% e të anketuarve.