MENU
klinika

Profil/ Ronald Regan

Si një punojës cirku u bë presidenti i Amerikës…

19.01.2019 - 13:38

Ronald Regan (Ronald Wilson Reagan) ishte një politikan, anëtar i Partisë Republikane, komentator dhe aktor amerkan, i cili shërbeu si President i 40-të i Shteteve të Bashkuara nga 1981 deri në 1989. Para presidencës së tij, ai shërbeu si Guvernator i 33-të i Kalifornisë 1967-1975, pas një karriere si aktor dhe drejtues i sindikatës në Hollywood.

Regan vlerësohet, anë e mbanë botës për kontributin dhe rolin e tij për t’i dhënë fund Luftës së Ftohtë me ish-Bashkimin Sovjetik. Presidentit Regan i jepet merita gjithashtu për rigjallërimin e ekonomisë amerikane, që në ato vite ishte në krizë, si dhe për frymëzimin e ndjenjës së optimizmit për shumë amerikanë.

Dikur, kur ishte vetëm 14-vjeç, Regan punonte në një cirk si një punëtor i thjeshtë i pakualifikuar, ku merrte vetëm 0,25 dollarë në orë, sipas The Week. Mbase fati i buzëqeshi, ose mbase puna e vullneti morën frytet e pritura, dhe pas disa vitesh, punojësi i cirkut e gjeti veten në Shtëpinë e Bardh, në krye të vendit më të fuqishëm në botë…

Jeta e hershme

Ronald Regan u lind në Tampico, Illinois më 6 shkurt 1911, i biri i Nelle Clyde (Wilson) dhe John Edward “Jack” Reagan. Babai i Reganit ishte një shitës dhe një tregimtar, nipi i emigrantëve katolikë irlandezë nga County Tipperary, ndërsa nëna e tij ishte me prejardhje gjysmë skoceze dhe gjysmë angleze. Regan kishte një vëlla më të madh, Neil (1908-1996), i cili u bë një drejtor reklamash. Familja e Reganit ka jetuar në periudha të shkurtra në disa qytete të Illinois, duke përfshirë Monmouth, Galesburg, dhe Çikago dhe në vitin 1919, u kthyen në Tampico dhe jetuan mbi HC Pitney Variete Store deri sa më në fund u vendosën në Dixon.

Ai ndoqi shkollën e mesme në Dixon, dhe më pas Kolegjin Eureka, ku ai u bë anëtar i vëllazërisë “Tau Kappa Epsilon”, dhe studioi ekonomi dhe sociologji. Ai krijoi një reputacion si një mjeshtër, që shkëlqeu në sport dhe teatër. Ai ishte anëtar i ekipit të futbollit amerikan dhe kapiten i ekipit të notit. Ai u zgjodh president i trupit studentor dhe udhëhoqi një revoltë studentore kundër presidentit të kolegjit, pasi ai u përpoq për të shkurtonte përsëri numrin e profesorëve.

Kariera në media dhe aktrim

Pas diplomimit nga Eureka në vitin 1932, Regan shkoi në Ajova, ku ai gjeti punë si folës në disa stacione radioje. Ai punoi në radio WHO në Des Moines, si komentator për lojërat e bejsbollit të Chicago Cubs. Ndërsa udhëtonte për në Kaliforni, Regan nënshkroi një kontratë shtatëvjeçare me studiot Warner Brothers. Ai i kaloi vitet e para të karrierës së tij në Hollivud në njësinë “B film”. Roli i tij i parë ishte në vitin 1937 në filmin “Love is on the air”, dhe deri në fund të vitit 1939 ai mori pjesë në 19 filma. Roli i preferuar Reganit ishte ai i personit me të dy krahët të prerë në filmin Kings Row të vitit 1942. Edhe pse Regan e quajti filmin “Kings Row” filmin që e bëri një “yll”, ai nuk ishte në gjendje të shijonte suksesin, sepse ai u thirr nga ushtria amerikane në San Francisko.

Shërbimi ushtarak

Regan u rekrutua nga Ushtria Rezerviste dhe u emërua toger i dytë në Korpusin e Oficerëve Rezervë të Trupave të kalorësisë më 25 maj 1937. Detyra e tij e parë ishte në Portin e San Françiskos në Fort Mason, Kaliforni, si oficer ndërlidhës i Zyrës së Portit dhe Transportit. Më 14 janar 1943, ai u rrit në gradë hde toger i parë dhe u dërgua në Njësinë Përkohshme të Shfaqjeve Task Force në Kaliforni.  Pas përfundimit të kësaj detyre, u bë kapiten më 22 korrik, 1943.

Në janar 1944 Reagan u dërgua me detyrë të përkohshme në Nju Jork për të marrë pjesë në hapjen e “Serive E Bond”. Atë e rikthyen në Njësinë “First Motion Pictures” më 14 nëntor 1944, ku ai qëndroi deri në fund të Luftës së Dytë Botërore. Kur ishte në Njësinë “First Motion Pictures” në vitin 1945, ai u përfshi në mënyrë të tërthortë në zbulimin e aktores Marilyn Monroe. Ai u kthye në Fort MacArthur, Kaliforni, ku u shkëput nga detyra ushtarake aktive në 9 dhjetor 1945.

Fillimet e karierës politike 1948-1967

Reagan e filloi karrierën politike si një demokrat liberal. Ai iu bashkua komiteteve të shumta politike me një orientim të fortë të majtë, të tilla si Komiteti i Veteranëve Amerikanë. Në zgjedhjet e vitit 1948, Reagan mbështeti fuqimisht Harry S. Truman, duke u paraqitur në skenë me atë gjatë një fjalimi të fushatës në Los Anxhelos. Megjithatë, në fillim të viteve 1950, ai u zhvendos në të djathtë dhe, miratoi kandidaturat presidenciale të Dwight D. Eisenhower në vitin 1952 dhe 1956, si dhe Richard Nixon në vitin 1960. I etur për më shumë hapësirë, por pa u lejuar të hynte në politikë, ai u largua dhe u regjistrua zyrtarisht si një republikan. Ai shpesh ka thënë: “unë nuk ika nga Partia Demokratike, partia iku nga mua”.

Guvernator i Kalifornisë (1967-1975)

Republikanët e Kalifornisë ishin të impresionuar me pikëpamjet politike dhe karizmën e Reganit. Kështu në fund të vitit 1965, ai njoftoi fushatën e tij për Guvernatorin e Kalifornisë në vitin 1966. Në mandatin e tij të parë, ai miratoi rritjen e taksave për të balancuar buxhetin. Pavarësisht një përpjekje të pasuksesshme për ta hequr atë me zgjedhje të parakohshme në vitin 1968, Regani u rizgjodh në vitin 1970, por ai nuk kërkoi një mandat të tretë në zgjedhjet e radhës. Mandatet e Reganit si guvernator e ndihmuan atë për të krijuar politikat që ai do të ndiqte në karrierën e tij të mëvonshme politike si president.

President i SHBA

Regan e filloi fushatën e tij duke deklaruar “Unë besoj në të drejtat e shteteve.” Pasi fitoi emërimin republikan, Regan përzgjodhi një nga kundërshtarët e tij kryesorë, George H. W. Bush, si kandidat për zëvendëspresident. Regan i fitoi zgjedhjet, duke fituar në 44 shtete me 489 vota elektorale ndaj 49 votave elektorale për Carter.

Gjatë presidencës së tij, Regan ndoqi politika që pasqyronin besimin e tij personal në lirinë individuale, solli ndryshime në vend, si për ekonominë amerikane dhe për zgjerimin e ushtrisë, dhe kontribuoi në dhënien fund të Luftës së Ftohtë. Presidenca e tij e quajtur Revolucioni Reganian, rigjallëroi moralin amerikan, ripërtëriu ekonominë amerikane dhe zvogëloi varësinë amerikane nga qeveria.

Deri më sot, Reagan është personi më i moshuar i zgjedhur në zyrën e presidencës (69 vjeç) dhe presidenti më i moshuar në kohën e inaugurimit. Në fjalimin e tij të parë inaugurues më 20 janar të vitit 1981, të cilin Regan e shkroi vetë, ai tha “Në këtë krizë të tanishme, qeveria nuk është zgjidhja e problemeve tona, qeveria është vetë problemi”.

“Reganomia” dhe ekonomia

Gjatë vitit të fundit të Xhimi Karterit si president (1980), inflacioni ishte mesatarisht 12.5%, krahasuar me 4.4% gjatë vitit të fundit të Reganit si president (1988). Gjatë administratës së Reganit, shkalla e papunësisë ra nga 7.5% në 5.4%. Regan zbatoi politika të bazuara në anën e ofertës të ekonomisë, duke theksuar një filozofi “laissez-faire” dhe politikë fiskale të tregut të lirë, duke kërkuar të stimulojë ekonominë me ulje të mëdha të taksave kudo. Disa ekonomistë, si fituesit e çmimit Nobel, Milton Friedman dhe Robert A. Mundell, argumentojnë se politikat e taksave të Reganit fuqizuan ekonominë amerikane dhe kontribuan në “bumin” ekonomik të viteve 1990.

Shkallëzimi i Luftës së Ftohtë

Regan shkallëzoi Luftën e Ftohtë, pasi zbatoi politika të reja ndaj Bashkimit Sovjetik : ripërtëritjen e programit B-1 Lancer që ishte anuluar nga administrata e Karterit, dhe prodhimin e raketave. Në një fjalim të famshëm më 3 mars 1983 Regan deklaroi:” Komunizmi është një tjetër kapitull absurd, i trishtuar, në historinë njerëzore, faqet e fundit të të cilit po shkruhen tani”. Kur avionët luftarakë sovjetike rrëzuan avionin e Linjës Ajrore Koreane me numër fluturimi 007 pranë ishullit Moneron më 1 shtator 1983, Regani e quajti aktin një “masakër” dhe deklaroi se sovjetikët ishin kthyer “kundër botës dhe principeve morale që udhëheqin marrëdhëniet njerëzore mes njerëzve kudo”. Administrata e Reganit iu përgjigj incidentit duke anulluar disa marrëveshje të negociuara me sovjetikët, duke i “plagosur” ata financiarisht.

Dy herë president

Regan u betua si president për herë të dytë më 20 janar 1985, në një ceremoni private në Shtëpinë e Bardhë. Shpërthimi i Raketës Kozmike Challenger më 28 janar 1986, dëshmoi një moment të rëndësishëm në presidencën e Reganit. Të shtatë astronautët në bord u vranë. Natën e fatkeqësisë, Regan mbajti një fjalim, në të cilën ai tha: “E ardhmja nuk i përket frikacakëve. Ajo i përket të guximshëmve…”

Fundi i Luftës së Ftohtë

Deri në fillim të viteve 1980, Shtetet e Bashkuara mbështeteshin në superioritetin e armëve të tyre për të frikësuar sovjetikët, por hendeku po ngushtohej. Regan e kuptoi ndryshimin në drejtim të udhëheqjes sovjetike me Mihail Gorbaçovin, dhe u zhvendos drejt diplomacisë, për të inkurajuar liderin sovjetik për të arritur marrëveshje të mëdha për armët. Misioni personal i Reaganit ishte për të arritur “një botë pa armë bërthamore”. Gorbaçovi dhe Regani mbajtën katër takime midis viteve 1985 dhe 1988. Presidenti amerikan besonte se në qoftë se ai do të bindte sovjetikët për të lejuar më shumë demokraci dhe liri të fjalës, kjo do të çonte në reforma dhe në fundin e komunizmit.

Duke folur pranë Murit të Berlinit më 12 qershor 1987, Regan e sfidoi Gorbaçovin të shkojë më tej, duke thënë: “Sekretari i Përgjithshëm Gorbaçov, nëse kërkon paqen, nëqoftë se kërkon prosperitetin për Bashkimin Sovjetik dhe Europën Lindore, në qoftë se kërkon liberalizimin, hajde këtu tek kjo portë! Zoti Gorbaçov, hape këtë portë! Zoti Gorbaçov, rrëzoje këtë mur!”

Në takimin e tretë në vitin 1987, dy liderat nënshkruan Traktatin e Raketave Bërthamore me rreze të Mesme (INF) në Shtëpinë e Bardhë. Kur Regan vizitoi Moskën për takimin e katërt në vitin 1988, ai shihej si një njeri i famshëm nga sovjetikët. Një gazetar i kërkoi presidentit, nëse ai ende e konsideronte Bashkimin Sovjetik si perandoria e të keqes. “Jo”, u përgjigj ai, “Unë flisja për një tjetër kohë, një tjetër epokë”. Në nëntor të vitit 1989, dhjetë muaj pasi Regan u largua nga detyra, Muri i Berlinit u shemb, Lufta e Ftohtë u shpall zyrtarisht e mbyllur në Takimin e Maltës më 3 dhjetor 1989, dhe dy vjet më vonë, Bashkimi Sovjetik u shpërbë.

Regan dhe marrëdhënia speciale me Margaret Theçer

Margaret Theçer dhe Ronald Regani kishin një marrëdhënie të pazakontë. Një marrëdhënie speciale. Biografi i të dyve, Xhefri Smith e përshkruan kështu: “Ishte më e ngushtë ideologjikisht dhe më e ngrohtë personalisht, se sa çdo marrëdhënie mes çdo kryeministri tjetër britanik dhe çdo presidenti tjetër amerikan”.

Theçeri dhe Regani ishin takuar shumë vite përpara se gjithsecili prej tyre të vinte në pushtet, dhe kishin kaluar orë të tëra duke diskutuar vizionet e tyre të përbashkëta. Theçeri shpesh herë shprehej para mediave: “Ron dhe unë mendojmë”, tregon Smith. Theçeri e bindi Reganin se Mikhail Gorbachovi ishte një udhëheqës sovjetik me të cilin mund të punohej, shkruan CNN.

Kishte edhe vështirësi mes të dyve. Për shembull, nuk ishte shumë e lehtë për Reganin që të bindte Theçerin, që të lejonte sulmin amerikan të 1986 kundër Libisë, sulm që ai e nisi prej bazave britanike. Pushtimi amerikan i Grenadës në vitin 1983 e zemëroi jo pak Theçerin. Ajo befasua gjithashtu kur Regani u përpoq të firmoste një marrëveshje të re çarmatimi bërthamor me Gorbaçovin në Reikiavik, Islandë, në vitin 1986.

Ishte e lehtë për shumëkënd ta vinte në lojë marrëdhënien mes Theçerit dhe Reganit, por një gjë ishte e sigurtë: ajo i kishte rrënjët në një afeksion të thellë dhe respekt të sinqertë. Të dy u bënë mishërimi i asaj që tashmë njihet si epoka e artë e konservatorizmit, një epokë kur politikat e tyre ndryshuan hartën e botës dhe vizioni i tyre i përbashkët ekonomik, është ende gjallë sot.

Vitet e fundit të jetës dhe vdekja

Pas largimit nga detyra në vitin 1989, Reganët blenë një shtëpi në Bel Air, Los Angeles, dhe jetuan aty. Fjalimi i tij i fundit publik ishte në 3 shkurt 1994 në Uashington DC, dhe shfaqja e tij të fundit në publik ishte në funeralin e Richard Nixon, më 27 prill 1994.

Ikonë e politikës amerikane dhe ndërkombëtare

Presidenti Regan posedonte qëndrime dhe parime të forta politike si edhe një kulturë të qytetëruar politike. Zoti Regan mbahet mend për betejat politike me kundërshtarin e tij të kohës, udhëheqësin e demokratëve në Kongres, zotin Tip O’Neill, por më në fund, mosmarrëveshjet dhe, debatet dhe nganjëherë edhe grindjet e ashpra politike nuk i pengonin që në mbarim të ditës të uleshin së bashku për të pirë dhe për të bërë shaka me njëri tjetrin. Për Presidentin Regan, i cili njihej për pragmatizëm politik, betejat politike me kundërshtarët e tij demokratë, nuk ishin asnjëherë personale dhe të ulëta, por gjithmonë në një nivel dinjitoz. Ai nuk mbante inate as ndaj gazetarëve që mund të shkruanin negativisht për të dhe administratën e tij, dhe as ndaj kundërshtarëve të tij politikë. Ai trajtonte me respektin më të madh jo vetëm kundërshtarët politikë, por edhe çdo personi të thjeshtë me të cilët vinte në kontakt. Por mbi të gjitha, ai respektonte dhe admironte shumë popullin amerikan, në të cilin ai kishte besim të patundur.

Presidenti Reagan ishte një figurë-ikonë e shekullit 20-të. Ai e dinte se liria ishte në rrezik dhe bëri çmos për t’i dhënë fund Luftës së Ftohtë pa zbrazur asnjë fishek. Ishte mjeshtër për të bindur kundërshtarët e tij, por gjithmonë duke respektuar pikëpamjet dhe dinjitetin e tyre. Ai ishte tolerant jo vetëm ndaj kundërshtarëve politikë, por në të njëjtën kohë, ai vinte në dukje edhe një tolerancë të pashoqë fetare.

Mbase nderimi më i madh që mund t’i bëhet është që politikanët amerikanë, (por edhe të tjerë) të marrin shembull nga ai, i cili megjithëse kishte bindje te forta politike, nuk e pengonin atë aspak tu shtrinte dorën e miqësisë e të mirëkuptimit, kundërshtarëve politikë brenda vendit dhe bile edhe armiqve të Amerikës jashtë vendit.

Kuriozitete

-Kur ishte djalë i vogël, babai i Reganit i vuri atij nofkën “holandez”, për shkak të pamjes së një holandezi të vogël të shëndoshë, dhe modelit të flokëve. Kjo nofkë i mbeti atij gjatë gjithë rinisë.

-Sipas Paul Kengor, autor i librit “Zoti dhe Ronald Regan”, kundërshtimi i Reganit ndaj diskriminimit racial ishte i pazakontë për kohën. Ai kujton një kohë në Dixon kur një hotel nuk lejoi disa zezakë të qëndronin atje dhe Regan i mori ata në shtëpinë e tij, ku nëna e tij i ftoi ata të kalonin natën.

-Puna e tij e parë ishte roje bregdetare, ose thënë ndryshe kujdestar plazhi, në lumin Rock në Lowell Park, pranë Dixon, në vitin 1927. Gjatë një periudhe gjashtëvjeçare, Reagan thuhet se shpëtoi 77 njerëz.

-Në moshën 14-vjeçare, Regan punoi disa kohë në një cirk si një punëtor i thjeshtë i pakualifikuar, ku merrte vetëm 0,25 dollarë në orë, sipas The Week.

-Kur ishte president, Regan mbajti një ditar në të cilin ai shkruante mbi ndodhitë e përditshme. Ditarët janë botuar në maj 2007 në librin e shumëshitur, “Reagan Diaries” (Ditaret e Reganit).

-Në gusht të vitit 1994, në moshën 83 vjeçare, Regani u diagnostikua me sëmundjen Alzhaimer, një çrregullim i pashërueshëm neurologjik i cili shkatërron qelizat e trurit.  Me kalimin e viteve, sëmundja ngadalë shkatërroi kapacitetin mendor të Reganit. Ai ishte në gjendje të njihte vetëm pak njerëz, duke përfshirë gruan e tij, Nancy. Megjithatë ai mbeti aktiv. Shëtiste nëpër parqe pranë shtëpisë së tij dhe në plazhe, luante golf rregullisht, dhe deri në vitin 1999 ai shpesh shkonte në zyrën e tij në afërsi të Century City.

-Në varrin e Reganit është mbishkrimi me fjalët që ai tha në përurimin e Bibliotekës Presidenciale Ronald Regan: “Unë e di në zemrën time se njeriu është i mirë, dhe se çfarë është e drejtë gjithmonë do të triumfojë”.

Regan njihej për aftësitë e tij të veçanta të komunikimit me njerëzit, dhe disa nga thëniet e tij më brilante janë:

– Informacioni është oksigjeni i epokës moderne.

– Nga katër luftëra që i kam parë në jetën time, asnjëra nuk erdhi për shkak se Amerika ishte tepër e fortë.

– Udhëheqësi më i madh nuk është domosdoshmërisht ai që bën gjërat më të mëdha. Është ai që i bën njerëzit të bëjnë gjërat më të mëdha.

– Qeveria ekziston për të na mbrojtur nga njëri-tjetri.

– Pushteti i koncentruar gjithmonë ka qenë armik i lirisë.

– Qeveria nuk i zgjidh problemet, por i subvencionon ato.

– Beso, por verifiko.

– Detyra e parë e qeverisë është t’i mbrojë njerëzit, jo të drejtojë jetën e tyre.

– Ne nuk mund t’i ndihmojnë të gjithë, por të gjithë mund të ndihmojnë dikë.

– Një popull që është i lirë të zgjedhë, gjithmonë do të zgjedhë paqen.

– Të rrish duarkryq duke shpresuar se një ditë, disi, dikush do të bëjë drejtësi, është sikur të shkosh në gojën e krokodilit, duke shpresuar se ai do të të hajë ty të fundit.

– Kur nuk mund t’i bëni ata të shohin dritën, bëjini të ndjejnë ngrohjen.

– Mendjet më të mira nuk janë në qeveri. Nëse do të ishte ndonjëri, biznesi do t’ia vidhte.

– Mendimi se jam president më frikëson dhe nuk mendoj se e dua këtë punë.