MENU

1.7 mld lekë në dy vjet

Siguruesit po shlyejnë dëmet e prambetura

26.01.2019 - 12:28

Kompanitë e sigurimeve paguan mbi një miliard lekë dëme të prapambetura vitin e kaluar. Sipas të dhënave nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare, dëmet e bartura në vite në Fondin e Kompensimit të Byrosë së Sigurimeve janë shlyer në pjesën më të madhe të tyre.

Shlyerja e detyrimeve të prapambetura ndaj Byrosë së Sigurimeve ka sjellë një rritje të ndjeshme të dëmeve totale të paguara. Gjatë vitit 2018, siguruesit paguan afro 7 miliardë lekë dëme (rreth 56 milionë euro), në rritje me 26% krahasuar me vitin 2017.

Raporti mes dëmeve dhe primeve ka arritur në 41%, një ndër më të lartët e regjistruar ndonjëherë në tregun shqiptar të sigurimeve. Presioni i AMF-së dhe Komisionit Kuvendor të Ekonomisë më në fund duket se ka sjellë rezultate në shlyerjen e detyrimeve të prapambetura të Fondit të Kompensimit. Në dy vjet, kompanitë kanë paguar rreth 1.7 miliardë lekë dëme.

Tregu i sigurimeve shfaqi një rritje modeste edhe vitin e kaluar. Primet e shkruara bruto u rritën me 4.5% krahasuar me një vit më parë. Në veçanti, tregu i sigurimit të jetës rezultoi në rënie me 4.5%.

Shqiptarët paguajnë mesatarisht rreth 45 euro prime sigurimi për frymë, vlerë kjo më e ulët krahasuar qoftë edhe me vendet fqinje.

Pesha e sigurimeve të detyrueshme u thellua edhe më shumë këtë vit, duke e bërë tregun gjithnjë e më të varur prej tyre. Sigurimet e detyrueshme motorrike sollën mbi 68% të primeve të arkëtuara nga kompanitë vitin e kaluar.

Edhe në tregun e sigurimit të jetës më shumë se gjysma e primeve erdhën nga sigurimi i jetës së debitorit, sigurim ky që kërkohet në mënyrë të detyrueshme nga institucionet financiare.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Odiseja e Fondit të Kompensimit

1.6 miliardë lekë dëme për t’u paguar

152 viktima në nëntë muaj

Aksidentet, mbi 14 milionë euro dëme