MENU
klinika

8-kërkesat

Studentët rikthehen në protestë, gozhdojnë dyert e Fakulteteve

07.01.2019 - 08:38

Studentët e fakulteteve të Tiranës nuk janë të kënaqur me Vendimet e Këshillit të Ministrave dhe do të protestojnë sot sërish para Kryeministrisë.

Klajdi Bello, një nga studentët protestues, ka postuar një video në faqen e tij në Facebook, teksa një student është duke gozhduar derën e një prej Fakulteteve.

“Mirëmëngjesi! Përgatitjet kanë filluar. Meqenëse disa dekanë dhe rektorë kanë kërkuar të fillojë mësimi, studentët po ja kthejnë përgjigjen në mënyrën e tyre”– shkruan ai.

gozhdojne dyert e fakulteteve-konica.al

Përfaqësues të këshillave studentorë nga e gjithë Shqipëria janë mbledhur në Qytetin Studenti te godina “Liria” për të listuar të gjithë kundërshtitë që kanë në lidhje me draftin e “Paktit për Universitetin” të hartuar nga qeveria.

Sipas studentëve, drafti për universitetin nuk është i plotë dhe i saktë, ndaj edhe protestat do të vazhdojnë. Përmes një drafti të ri, studentët kanë listuar kundërshtitë që kanë për çdo vendimmarrje të qeverisë në lidhje me 8 kërkesat e tyre.

Në krye të kërkesave të studentëve qëndron thirrja që çdo vendimmarrje të kalojë me amendamente në ligjin e arsimit të lartë dhe jo me VKM. Studentët kujtuan se çdo VKM e miratuar nga qeveria në dhjetor 2018 mund të rrëzohet me një vendim, ndërkohë që amendamentet në ligjin e arsimit të lartë do të kërkojnë votë në Parlament.


Në diskutimet e bëra në sallën “Liria” u soll në vëmendja VKM nr.288, për të cilën studentët nisën edhe protestën e tyre dhe që lidhej me tarifën mbi kreditet për provimet e mbartura për studentët. Duke kujtuar se ajo VKM u anulua brenda ditës, studentët kërkuan që çdo kërkesë e tyre të shkojë si amendament në Parlament.

Studentët i qëndruan kërkesës së tyre për përgjysmimin e tarifave, por kërkuan që për këtë pikë qeveria të shtojë buxhetin për arsimin e lartë dhe jo të marrë nga zëra të tjerë të përcaktuar për universitetet. Këshillat studentore përcaktuan një afat dyvjeçar për qeverinë, lidhur me kërkesën e tyre për rritjen e buxhetit për arsimin nga 3.4 në 5 për qind.

Sa i takon kartës së studentit, këshillat studentore kërkuan që të gjendet një përgjegjës për vonesat e pajustifikuara të realizimit të saj. Ata kërkuan që brenda muajit mars, karta e studentit të jetë e aksesueshme dhe studentët të fillojnë të kenë akses në spitale, urbane dhe institucione publike.

Në lidhje me kërkesën e studentëve për transparencën e buxhetin e arsimit është kërkuar që në portalin që do të hapet nga qeveria të mos menaxhohet vetëm nga Ministria dhe rektorët, por edhe nga vetë këshillat studentore.