Ish-ministri i Brendshëm Saimir Tahiri ka ankimuar zgjatjen e hetimeve ndaj tij.
Ai kërkon 3 muaj kohë dhe do që dosja të shkojë në gjykatë.
Kujtojmë se më herët pas skadimit të afateve për përfundimin e hetimeve për ish-ministrin, Prokuroria e Krimeve të Rënda ka vendosur të zgjasë hetimet me tre muaj të tjerë për veprime të tjera hetimore.
Prokuroria deklaron se pritet përgjigjja për ndihmë juridike nga Mali i Zi dhe përkthimi i akteve të marra nga Italia.
Hetimet ndaj ish-ministrit nisën në tetor të vitit të kaluar, ndërsa në 12 Maj, Gjykata e Shkallës së Parë për Krimet e Rënda caktoi masën e sigurisë arrest shtëpie për Tahiri, vendim i cili u prish nga Gjykata e Apelit dy javë më vonë.
Aktualisht Saimir Tahiri po hetohet në gjendje të lirë. Ish-Ministri i Brendshëm akuzohet se ka bashkëpunuar me grupin e Habilajve për trafikim të lëndëve narkotike dhe shpërdorim detyre.
Pavarësisht akuzave, Tahiri gjithmonë i ka mohuar ato. Ndërsa prokuroria e Katanias pak muaj më parë vendosi pushimin e hetimeve pasi nuk gjeti prova për përfshirjen e Tahirit në trafikun e drogës.