Pas një viti me Sauber, ku në shumë gara ra në sy për manovrat e tija, piloti i ri francez Charles Leclerc fitoi “bingon” për të pilotuar makinën Ferrari, ku zuri vendin e veteranit Kimi Raikkonen.
22-vjeçari nga Montecarlo do të garojë në krah të një kampioni të botës si Sebastian Vettel, që pas disa sezonesh me “kokëkuqen”. ende nuk e ka shijuar titullin e parë me makinën italiane.
Por edhe këtë vit, të paktën sipas Leclerc, Vettel ka për ta patur të vështirë. Dhe jo vetëm ai. “Unë nuk kam ardhur te Ferrari për të bërë pushime, por di që kam një përgjegjësi të madhe mbi shpinë.
Ky është një shans i madh për mua, të cilin nuk dua dhe nuk do ta çoj dëm. Do të pilotoj për të fituar, që në sezonin tim të marë me ‘kokëkuqen’ edhe pse shumë mendojnë se do të jetë një vit ambientues për mua”, – thotë Leclerc.
Më tej, piloti francez shton: “Ky është një sport me të papritura, por fati nuk mund të ndihmojë gjithnjë, po punoj fort për të dueluar edhe unë për titull.
Ndaj, shpresoj që t’i bëj të gjithë me dhimbje koke që në garën e parë, duke e nisur që në Australi me fitore. Mezi po pres testet që të provoj makinën e re, në mënyrë që ta kem më të lehtë në debutimin sezonal”.