MENU
klinika

Kosto e jetesës

Tirana, më e shtrenjta në rajon

22.01.2019 - 15:50

Tirana është kryeqyteti më i shtrenjtë në rajonin e Ballkanit Perëndimor. Anketa vjetore e kompanisë së konsulencës Mercer, tregon se Shqipëria e përfaqësuar me Tiranën renditet e 172-ta në botë, ndër 209 shtete.

Renditja e përgjithshme i referohet kostos së jetesës për të huajt, por që tregon realisht se sa i shtrenjtë është një qytet i caktuar. Sofja, Beogradi, Sarajeva janë më të lira se kryeqyteti i Shqipërisë për të jetuar thotë Mercer.

Më tej në Europë, Kievi, e sidomos Sofia dhe Bukureshti rezultojnë të jenë qytete më të lira se kryeqendra e Shqipërisë, ku jeton edhe thuajse një e treta e popullsisë së përgjithshme. Në raportin e kaluar, vendi ynë renditej i 186-ti në botë, po ndër 209 shtete.

Ndryshimi në renditje me 14 pozicione flet për një shtrenjtim të konsiderueshëm të jetesës së banorëve të kryeqytetit në krahasim me popujt e tjerë. Të dhëna të tjera të publikuara së fundmi, si nga Eurostat ashtu edhe nga Komisioni Europian, tregojnë se çmimet në Shqipëri janë rritur ndjeshëm gjatë viteve të fundit, ndërkohë që shqiptarët vazhdojnë të kenë PBB dhe konsumin më të ulët për frymë në Europë.

Në nivel global, Tashkenti, kryeqyteti i Uzbekistanit, është më i liri për të jetuar, ndërkohë që Hong Kongu është qyteti më i shtrenjtë, i ndjekur nga Tokio.