MENU
klinika

Detaje të tjera

Turku i vdekur në Prishtinë, Prokuroria shqiptare zbulon detaje

24.01.2019 - 16:22

Ka ardhur dhe reagimi nga prokuroria, pak orë pas publikimit të lajmit për vdekjen e një prej personave, shtetas turk të shpallur në kërkim nga autoritetet shqiptare për laboratorin e drogës në Has.

Organi i akuzës shqiptare është informuar për ngjarjen ku përfshihet Nejdet Cesuroglu dhe vdekjen e tij në rrethana misterioze në Prishtinë në fillim të dhjetorit të vitit të kaluar.

Prokuroria konfirmon gjithashtu se në vendin ku është gjetur i vdekur 50-vjeçari janë gjetur dhe 113 kg e 507 gram heroinë.

“Në kuadër të hetimeve për procedimin penal numër 339 të vitit 2016 është caktuar nga Gjykata për Krime të Rënda masa e sigurimit arrest në burg në mungesë për njërin prej personave të dyshuar si anëtar të grupit kriminal, shtetasit turk Nejdet Cesuroglu, që ka lidhje për faktin e zbulimit të laboratorit dhe të lëndës narkotike më datë 18.10.2018 në fshatin Brenogë Has.

Nga Policia e Shtetit jemi njoftuar se më datë 02.12.2018 në Prishtinë, në kuadër të operacionit “FIRMA”, është gjetur i vdekur shtetasi turk Nejdet Cesuroglu, i datëlindjes 03.02.1969. Gjatë kontrollit të banesës, tek një dhomë e mbyllur janë gjetur tre valixhe të mbushura me 113 kg e 507 gram lëndë heroinë, për këtë fakt janë arrestuar nga autoritetet kosovarë katër shtetas”, deklaron prokuroria shqiptare.