MENU
klinika

Treguesi i ndjesisë ra me 1.2 pikë

Ulet besimi në ekonominë shqiptare

07.01.2019 - 12:55

Treguesi i ndjesisë ekonomike pësoi rënie në tremujorin e katërt të vitit 2018. Sipas Bankës së Shqipërisë, treguesi që mat besimin e bizneseve dhe konsumatorëve ra me 1.2 pikë krahasuar me tremujorin e mëparshëm. Rënia u përcaktua nga rënia e besimit në sektorët e shërbimeve, të tregtisë dhe të industrisë.

Treguesi i besimit në sektorin e industrisë ra me 0.3 pikë përqindje gjatë tremujorit të katërt, por megjithatë, vazhdon të qëndrojë mbi mesataren historike të tij.

Treguesi i besimit në sektorin e shërbimeve vijoi tendencën rënëse edhe gjatë tremujorit të katërt, me 3.4 pikë përqindje. Kjo reflektoi rënien e të dy komponentëve të tij formues, balancës së kërkesës me 3.6 pikë përqindje dhe balancës së ecurisë së biznesit me 3.1 pikë përqindje.

Treguesi i besimit në sektorin e tregtisë ra me 5.2 pikë përqindje gjatë tremujorit të katërt, duke qëndruar edhe më poshtë nivelit të mesatares historike të saj. Balanca e pritjeve për ecurinë e punësimit në tremujorin e ardhshëm ra me 6 pikë përqindje dhe balanca e ecurisë së biznesit ra me 4.4 pikë përqindje.

Ndërkohë, besimi rezultoi i përmirësuar në sektorin e ndërtimit dhe për konsumatorët. Treguesi i besimit në sektorin e ndërtimit u rrit me 5.1 pikë përqindje gjatë tremujorit të katërt. Përmirësimi pasqyroi rritjen e dy balancave përbërëse , aktivitetit ndërtues me 6.1 pikë përqindje dhe kontratave porositëse me 4.1 pikë përqindje.

Treguesi i besimit konsumator ndërpreu prirjen rënëse në tremujorin e katërt dhe u rrit me 0.7 pikë përqindje. Në përmirësimin e besimit konsumator ndikuan rritja e balancave të situatës së të ardhurave dhe shpenzimeve, e blerjeve të mëdha dhe e situatës financiare të pritur të familjes.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Treguesi i ndjesisë ekonomike

Bie besimi i bizneseve dhe konsumatorëve