Ministria e Jashtme franceze njoftoi këtë të enjte se ka tërhequr ambasadorin e saj në Romë për konsultime, pas një seri “provokimesh” nga udhëheqësit e qeverisë populiste të Italisë, dhe hera e fundit që kjo ka ndodhur ishte në vitin 1940, kur Italia shpalli luftë në Francë.
Këtë herë “sulmet e përsëritura dhe të pabaza” nga partitë qeverisëse italiane e nxitën Francën të bënte lëvizjen diplomatike. Për një kohë kohë të gjatë, dy vendet e konsiderojnë veten më të mirët në çdo gjë, që nga ushqimi e deri tek moda e futbolli.
Tensionet janë shtuar që kur qeveria populiste e Italisë e Pesë Yjeve dhe Ligës erdhi në pushtet verën e kaluar. Këtu janë vetëm pesë çështje ku Parisi e Roma nuk “merren dot vesh” me njëri-tjetrin:
1.“Jelekverdhët”
Provokimi që duket se ka acaruar tepër francezët mbi buzë ishte takimi i Luigi Di Maio, kreut të Lëvizjes “Pesë Yjet” dhe zëvendëskryeministri italian njëkohësisht, me udhëheqësit e lëvizjes “Jelekverdhët” në Paris.
“Era e ndryshimit po kalon nëpër Alpe,” tha Di Maio (në italisht). Ai gjithashtu postoi një fotografi të vetën me kreun e “Jelekverdhëve”, Christophe Chalençon dhe Ingrid Levavasseur, i cili kryeson listën e “Jelekverdhëve” për zgjedhjet në Parlamentin Evropian në maj.
Në një postim në Facebook të enjten, Di Maio shkroi se Parisi ka sulmuar disa herë qeverinë italiane në prag të zgjedhjeve evropiane në maj dhe shtoi se takimi nuk përfaqëson një provokim ndaj qeverisë franceze sepse Lëvizja En Marche e Macron takohet me Partinë Demokratike të Italisë.
“Pesë Yjet” kishin shprehur edhe më pare publikisht përkrahjen e tyre për “Jelekverdhët”, protestat që nisën si një lëvizje kundër një takse të karburantit e u shndërruan në një lëvizje të përgjithshme anti-Macron.
2.Migracioni
Alessandro Di Battista, një nga drejtuesit e lëvizjes “Pesë Yjet”, tha në një shfaqje televizive se trajtimi i problemit të sovranitetit monetar në Afrikë është e vetmja mënyrë për të zgjidhur problemin e migracionit në Evropë. Di Battista pretendoi se, për shkak se Franca e AQF-së – monedha e përdorur nga 14 kombe afrikane është shtypur në Francë dhe ka një kurs këmbimi fiks kundrejt euros, Franca në mënyrë efektive kontrollon ato vende që e përdorin atë.
“Pesë yjet” thonë se sulmi i tyre bazohet në punën e Massimo Amato të Universitetit Bocconi, por Komisioneri evropian Pierre Moscovici, një francez, tha në takimin e fundit të Eurogrupit të ministrave të financave të eurozonës se gjithçka ishte një provokim dhe se francezët nuk donin t’i merrnin këto lloj deklaratash seriozisht.
3.Libia
Shumë prej problemeve aktuale nisën në vitin 2011, kur presidenti francez Nikolas Sarkozi kërkoi ndërhyrje ushtarake në Libi, një ish-koloni italiane nga e cila Roma ende prftiton shumë.
Për shumë njerëz në Romë, Parisi e kishte tepruar. Ata fajësonin francezët për një rritje të numrit të emigrantëve që kalonin Mesdheun dhe më pas për braktisjen e Italisë kur duhej të ndesheshin me pasojat. Kjo ishte para se Macron të merrte detyrën, por gjendja është përkeqësuar që nga ajo kohë.
4.Linja e trenave me shpejtësi të lartë
Parisi dhe Roma janë gjithashtu në kundërshtim me një projekt hekurudhor të diskutueshëm për të lidhur Torino dhe Lyon. “Pesë yjet” kundërshtojnë fuqimisht projektin prej 8.6 miliardë euro dhe të martën i paraqiti ambasadorit francez Christian Masset një analizë kosto-përfitim që tregon se Italia do të pësojë një humbje neto prej 7 miliardë euro nëse do tëvazhdojë me projektin.
Qeveria franceze nuk ishte e impresionuar. Franca ka gërmuar tashmë 25 kilometra në Alpe dhe vonesat e mëtejshme mund të nxisin Brukselin që të zvogëlojë fondet e BE për projektin, një shumë që aktualisht shkon në 400 milionë euro. Franca do të donte që Italia të respektonte angazhimet e saj ndërkombëtare. Qeveria italiane tha se do të diskutojë projektin me Parisin, por asnjë datë nuk është caktuar ende, tha një zëdhënës i ministrisë italiane të transportit.
5.Leonardo da Vinçi
Edhe arti nuk është imun ndaj konflikteve franko-italiane. Muzeu i Luvrit do të festojë 500-vjetorin e vdekjes së Leonardo Da Vinçit në tetor. Në vitin 2017 qeveria italiane pranoi t’i jepte muzeut të Parisit pjesën më të madhe të punës së Da Vincit, që ata zotëronin. Por kjo tani nuk mund të ndodhë. “Leonardo është italian, ai vdiq në Francë,” tha Lucia Borgonzoni, nënsekretare e shtetit të Italisë për kulturën, në nëntor.