MENU
klinika

Deklarata e plotë

Akuzat e rënda për vëllain e bashkëshortin e saj, Spiropali paralajmëron PD

19.02.2019 - 13:01

Ministrja e Shtetit për Marrëdheniet me Parlamentin, Elisa Spiropali ka reaguar pas akuzave të forta që PD lëshoi kundër saj.

Në një deklaratë për mediat Partia Demokratike e akuzoi Spiropalin se ka marrë nga fondet publike 550 mln lekë.

Sipas deklaratës për mediat që dha deputetja Jorida Tabaku, në skemën korruptive janë përfshirë edhe vëllai e bashkëshorti i Spiropalit.

“Në skemën korruptive është përfshirë direkt vëllai, bashkëshorti i dhe vetë Elisa Spiropali. Bashkëshorti i Elisa Spiropalit i ka dhënë kompanisë së familjes të paktën 350 milionë lekë nga Ujësjellësi i Fierit dhe kompania Solomon ka marrë tendera nga doganat në kohën e drejtimit nga Elisa Spiropali. Kompanisë së Spiropalit i është dhënë pyll me koncesion 40 ha me koncesion dhe rreth 130 milionë lekë nga fondet e fermerëve. Inspektoriati i Pasurive duhet të nisë menjëherë hetim pasuror për pasurinë e paligjshme të Elisa Spiropalit dhe ta çojë para drejtësisë”- tha Tabaku.

E menjëhershme është përgjigjja e ministres Spiropali. Përmes një postimi në Facebook, Spiropali ka paralajmëruar Partinë Demokratike se në lidhje me akuzat do të shihen në gjyq.

“E porosit Saliu, pastaj e nxjerr një frëngji e paguar nga fondet e zeza te Shqupit, pastaj del në këndin e shpifjeve dixhitale të Saliut, pastaj e këndon recituesja e Shqupit dhe ja u krye hedhja e bojës mbi tjetrin! Sot ishte radha ime dhe këtë radhë u bë im vëlla mish për top i kësaj opozite mavri me boje.

Vëllai im nuk ka përfituar kurrë dhe asnjëherë asnjë kontratë apo fond publik, as kur isha beqare, as kur u martova, as kur isha aktiviste, as kur isha drejtore, e as tani si ministre. Po fjalët me këta gojështhurur janë të tepërta.

Padia është e vetmja rrugë me këta bartës e përçues të horrllëkut politik. Në gjykatë le të provojnë çfarë akuzojnë ose përndryshe paratë për dëmin do të shkojnë për të ndihmuar kopshtin e Kolonjë”, shkruan Spiropali në Facebook.