Menjëherë pas komunikatës së MPB-së se struktura radikale të ISIS-it kanë planifikuar sulme terroriste në Maqedoninë e Veriut, Ambasada e SHBA-së në Shkup paralajmëroi se është rritur rreziku nga sulmet terroriste.
Përmes një njoftimi në faqen zyrtare, Ambasada amerikane thotë se qytetarët janë ne shenjester te terroristëve të ISIS-it. 1
“ISIS ka për qëllim që t’i sulmojë qytetarët, duke përfshirë edhe qytetarët amerikan që udhëtojnë jashtë shtetit. Terroristët po përdorin gjithnjë e më shumë metoda më pak të sofistikuara” thuhet në faqen zyrtare të Ambasadës së SHBA-së.
“Ekziston rrezik i lartë i sulmeve terroriste të frymëzuar nga ideologjitë ekstremiste në Maqedoninë e Veriut. Sulmet terroriste dhe incidentet tjera të sigurisë shpesh ndodhin pa asnjë paralajmërim, ndërsa qytetarët e SHBA-së inkurajohen që të jenë të vëmendshëm. Ekstremistët më shumë tentojnë të identifikojnë dhe të sulmojnë “objektivat e mëdha” siç janë qendrat tregtare dhe tregjet, aeroportet, hotelet, klubet dhe restorantet, vendet e adhurimit, shkollat, mitingjet partiake, demonstratat, festat”, shkruan më tej në faqen zyrtare të Ambasadës amerikane në Shkup.
Reagimi i policisë, parandalohet sulmi terrorist:
Policia ndërmori masa operativo-teknike dhe bastisje në disa lokacione lidhur me plane dhe qëllime potenciale për kryerje të aktit terrorist në territorin e shtetit tonë nga ana e pjesëtarëve të strukturave radikale mbështetës të ISIS.
“Ministria e Punëve të Brendshme, pas njohurive operative të këmbyera paraprakisht me një vend partner, lidhur me plane dhe qëllime potenciale për kryerje të aktit terrorist në territorin e Republikës së Maqedonisë së Veriut nga ana e pjesëtarëve të strukturave radikale mbështetëse të SHI-së, zbatoi masa operativo-teknike me qëllim të identifikimit të organizuesve të mundshëm dhe kryerësve potencial të sulmit. Me qëllim të pengimit të sulmit terrorist dhe realizimit të funksionit preventiv, Ministria e Punëve të Brendshme përpunoi plan të masave dhe aktiviteteve, për çka siguroi urdhëra adekuate për zbatimin e tyre”, informojnë nga MPB.
Pas urdhërave të marrë në disa lokacione në territorin e shtetit janë kryer bastisje me ç’rast janë marrë mjete dhe pajisje të cilat janë të lidhura me sulmin e mundshëm.
Nga Ministria informojnë se vazhdojnë të kryejnë veprime, masa dhe aktivitete me të cilat punohet në sigurimin e qytetarëve.